Juventusi refuzon kampionët e botës për Yildizin

- Bota Sot

Juventusi refuzon kampionët e botës për Yildizin

E përditshmja “Gazzetta dello Sport” bën sot një pasqyrë të së ardhmes së Kenan Yildiz.

Chelsea, gjatë ditëve të fundit, është paraqitur në Itali dhe ka trokitur me vendosmëri në derën e Juventusit, por “Zonja e Vjetër” nuk është hapur për numrin e saj 10.

Blutë e Londrës, që sapo kanë triumfuar në Kupën e Botës për Klube të FIFA-s, në versionin e pasur amerikan, kanë tentuar t’ia dhurojnë talentin turk trajnerit Enzo Maresca, edhe ai një ish-lojtar i Juventusit.

Bëhet fjalë për një ofertë të pasur dhe konkrete: të paktën 65-68 milionë euro, e shtyrë përpara nga vetë Maresca, i cili ka dobësi për “10” bardhezi. Qëllimi ishte ta tundonte Juventusin me shumë para, për të shembur “murin” që është ngritur për ta mbrojtur yllin turk, i preferuari i John Elkann dhe figura simbol e epokës së re të drejtuar nga Comolli e Chiellini.

Drejtuesit bardhezinj kanë dëgjuar qëllimet e Chelsea, por për shkak të marrëdhënieve shumë të mira mes palëve, nuk kanë dashur t’iu humbin kohën kolegëve. Mesazhi ishte i qartë: Yildiz nuk është në shitje.

Ky refuzim ndaj Chelsea vjen pas atyre ndaj Barcelonës dhe Bayern Munich javët e kaluara, klube të cilat megjithatë kishin pasur një qasje më “të butë” në oferta. Po shkohet drejt “blindimit” të 20-vjeçarit turk, i cili është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme muajt e fundit.

Bardhezinjtë synojnë t’ia rinovojnë sërish kontratën fantazistit, i cili vetëm 12 muaj më parë e kishte zgjatur atë deri në vitin 2029, duke rritur edhe pagën (1.5 milionë euro, plus bonuse). Marrëveshja e re që po studiohet do të jetë deri në vitin 2030, edhe paga do të jetë në nivelin e lojtarëve më të mirë të skuadrës; të paktën 4 milionë euro në sezon.



Lexoni të gjitha në Bota Sot