Sulme me dron në Rusi – goditen frabrika, stacione treni dhe qendra logjistike

- Bota Sot

Sulme me dron në Rusi – goditen frabrika, stacione treni dhe qendra logjistike

Një valë e re sulmesh me dron ka goditur disa rajone në Rusinë Jugore, duke shkaktuar dëme në infrastrukturë strategjike dhe ka nxitur kufizime të menjëhershme në hapësirën ajrore të vendit.

Në qytetin Nevinnomyssk, janë raportuar 37 goditje nga dronë në kompleksin industrial Nevinnomyssky Azot, uzina më e madhe kimike në rajon.

Kryetari i bashkisë u përpoq të qetësonte opinionin publik duke deklaruar se “nuk ka viktima”, se “punonjësit e fabrikës u treguan të përgatitur” dhe se “nuk ka arsye për panik.” Megjithatë, tonet e tij u perceptuan nga disa si të detyruara apo rutinë.

Në Rajonin e Tambovit, një zjarr shpërtheu në Uzinën e Barutit, një aset kyç për industrinë ruse të mbrojtjes. Shkaqet zyrtare të zjarrit ende nuk janë bërë të ditura.

Në Rajonin e Rostovit, shpërthime të fuqishme u ndjenë në qytetet Taganrog dhe Novoçerkask, të cilat besohet se kanë pasur në shënjestër nyje të rëndësishme logjistike, përfshirë linjat hekurudhore dhe qendrat e shpërndarjes.

Ndërkohë, Agjencia Federale Ruse e Aviacionit (Rosaviatsiya) ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, duke vendosur kufizime fluturimi në të paktën 8 qytete, përfshirë Stavropolin dhe Soçin.

Në Krasnodar Krai, qyteti Timashevsk u prek gjithashtu nga mbeturinat e një droni të rrëzuar, të cilat goditën stacionin hekurudhor lokal dhe dëmtuan një vagon të një treni pasagjerësh që po kalonte. Si pasojë, dy persona mbetën të plagosur.

Ky është një nga sulmet më të koordinuara me dron ndaj territorit rus në muajt e fundit, duke ngritur shqetësime të reja për sigurinë e brendshme dhe mbrojtjen e infrastrukturës strategjike. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot