Temperatura deri në 44 gradë, zjarret në Qipro lënë dy të vdekur e dhjetëra të plagosur

- Bota Sot

Temperatura deri në 44 gradë, zjarret në Qipro lënë dy të vdekur e dhjetëra të plagosur

Të paktën dy persona kanë humbur jetën e dhjetëra të tjerë janë plagosur nga zjarret në Qipro, të përshkruara si “më të rëndat në gjysmë shekulli”.

Bashkimi Evropian ka njoftuar se do të dërgojë avionë për hedhje uji, pas kërkesës së ishullit për ndihmë, ndërsa aktualisht rreth 250 zjarrfikës janë në përpjekje për të vënë nën kontroll zjarret që kanë prekur zona të mëdha.

Bëhet e ditur se zjarret kanë shkatërruar kryesisht toka bujqësore dhe dhjetëra shtëpi në komunitete fshatrash jashtë Limassolit në vargun malor Troodos.

Raportohet se temperaturat pritet të arrijnë në 44°C në disa pjesë të ishullit, me Departamentin e Meteorologjisë së Qipros që ka lëshuar një paralajmërim në nivel portokalli për temperatura jashtëzakonisht të larta, duke këshilluar publikun të minimizojë aktivitetet në ambiente të jashtme.

E ndërsa vala e të nxehtit prej një jave po përkeqësohet në të gjithë Evropën jugore, Greqia, Egjipti, Izraeli dhe Britania e Madhe, kanë njoftuar se do të ofrojnë mbështetje ajrore dhe zjarrfikës për Qipron. Ndërkohë, bëhet e ditur se edhe qipriotët turq në veri, në pjesën e ndarë të ishullit, kanë ofruar ndihmë, disa duke mbledhur ushqime dhe furnizime për ata në zonat e prekura nga zjarri.



Lexoni të gjitha në Bota Sot