Trajneri Enzo Maresca e mbylli vitin e tij të parë në krye të Chelsea me një triumf të jashtëzakonshëm në Kupën e Botës për klube, që iu shtua trofeut të tyre në Conference League si dhe kualifikimit në Champions League sezonin tjetër.
Ishte një rrezik për pronarët e Chelsea të sillnin Maresca, i cili kishte vetëm një vit përvojë menaxheriale te Leicester City. “Nuk mund të kishim dëshiruar një rezultat më të mirë për djemtë tanë”, tha Todd Boehly, pronari i Chelsea për “talkSPORT”.
“Të gjithë kanë bërë një punë kaq të mirë dhe janë stërvitur kaq shumë. Vërtet kanë qenë të bashkuar nën udhëheqjen dhe drejtimin e Enzo“, shtoi më tej Boehly, duke konfirmuar se ka mbetur i kënaqur nga rezultatet.
“Djemtë lulëzuan dhe u rritën falë kësaj. Të shihja ata të bashkoheshin ka qenë shumë e veçantë. Ne u jemi mirënjohës për suksesin që kanë pasur dhe për të gjithë tifozët e Chelsea kudo që janë kaq të emocionuar”, deklaroi presidenti i Chelsea.
Më tej, ai shtoi: “Jemi vërtet të emocionuar për atë që na pret në të ardhmen. Vendimi i Chelsea për këtë staf dhe ekip dha fryte dhe trajektorja e klubit po shkon vetëm në një drejtim, sa më lart të jetë e mundur”.