“Grada” si kapiten, që mban Marc ter Stegen nga sezoni i kaluar, mund t’i ndryshohet.
Te Barcelona duan t’ia heqin shiritin portierit gjerman. Sipas asaj që ka mësuar “Mundo Deportivo”, ky është një vendim i përbashkët i klubit dhe stafit teknik për shkak të qëndrimit të portierit. Kapiteni nevojitet të jetë ndërmjetës i vlefshëm i ekipit me Hansi Flick, Deco dhe Joan Laporta, për t’i trajtuar si duhet çështjet që lidhen me pjesën tjetër të skuadrës.
Pavarësisht problemeve me dëmtimin dhe zemërimit të Barcelonës ndaj tij për faktin që vendosi afate për rikuperimin nga operacioni para se të operohej, Ter Stegen mbetet kapiteni i skuadrës së Hansi Flick. Situata është komplekse, sepse kapiteni duhet të jetë lidhja midis skuadrës dhe stafit teknik, sektorit sportiv dhe bordit drejtues.
Ndërkohë, komunikimi i gjermanit me këto tri instanca të klubit blaugrana është pothuajse i munguar. Episodi i fundit i mosmarrëveshjes ishte kur Barcelona i rekomandoi Ter Stegenit të bënte një njoftim të përbashkët rreth dëmtimit të tij, por gjermani dëshiroi ta nxirrte vetë një orë më parë, me një letër në rrjetet sociale, në gjuhën katalanase.
Përveç kësaj mosmarrëveshjeje, ndodh që kapiteni aktual do të mungojë në dinamikën e ekipit edhe për të paktën tre muaj të tjerë, ashtu siç ka munguar që nga fillimi i përgatitjeve para-sezonale. Me këtë situatë, klubi katalanas konsideron se Ter Stegen nuk është kandidati më i mirë për të qenë kapiteni i ekipit dhe për të menaxhuar gjithçka që përfshin rolin e “zëdhënësit” të grupit.
Tani çështjen duhet ta marrë përsipër Hansi Flick, i cili ka mbështetjen maksimale të klubit, duke filluar nga Deco dhe bordi drejtues. Në këtë moment, kapitenë janë Ronald Araujo, Frenkie de Jong, Pedri dhe Raphinha.
Trajneri duhet të vendosë nëse do të caktojë direkt një kapiten të parë, siç ka ndodhur te Manchester City me Pep Guardiolën, ose ta lërë këtë zgjedhje për skuadrën. Ka kandidatë të rëndësishëm që mund t’i bashkohen grupit të kapitenëve, si Iñigo Martínez, Robert Lewandowski, Ferran Torres, apo edhe Lamine Yamal.