Ekonomia e Gjermanisë nuk duhet të nënvlerësohet

- Bota Sot

Ekonomia e Gjermanisë nuk duhet të nënvlerësohet

Çfarë e bën Gjermaninë kaq të veçantë? Jörg Krämer, Kryeekonomist në Commerzbank, pohon: "Gjermania është e larmishme". Ai thotë se Gjermania ka korporata të mëdha globale që kanë selinë e tyre këtu. Pothuajse edhe më të rëndësishme për të janë ndërmarrjet e shumta të vogla dhe të mesme.

Krämer i quan ato shtylla kurrizore e ekonomisë gjermane. "Ato janë fleksibël, kanë krijuar shumë vende pune në të kaluarën dhe paguajnë paga të mira." Këto janë shpesh kompani inovative që janë liderë të tregut global në sektorët e tyre të specializuar.

Baza ekonomike e fuqishme

Për dekada të tëra, këto kompani kanë qenë në gjendje të përfitojnë nga globalizimi. Motoja ishte prodhimi "pikërisht në kohë". Shumë - qofshin korporata globale apo kompani të mesme - e kanë përsosur këtë model. Problemi është që tani më kjo nuk funksionon pa probleme.

Energjia është bërë më e shtrenjtë, zinxhirët globalë të furnizimit janë ndërprerë. Konkurrentë të rinj po hyjnë në treg, duke vendosur standarde të tjera.

"Ne shohim pothuajse çdo ditë se si po ndryshon roli i superfuqive", thotë ekonomisti Martin Lück. "Kjo është natyrisht e rëndësishme për shumë vende që janë veçanërisht të përfshira në tregtinë globale".

Gjermania është një prej tyre. Prandaj, nuk është për tu habitur që kompanitë industriale gjermane tani po përballen me vështirësi.

Parashikimet negative

Shumë organizata dhe institute kërkimore janë bërë pesimiste vitet e fundit. OECD, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, parashikon se Gjermania do të rritet më ngadalë se çdo vend tjetër i industrializuar në vitin 2025.

Presidenti i Bundesbank, Joachim Nagel, beson se të paktën një rritje e vogël është e mundur këtë vit. "Për ekonominë gjermane, fundi i periudhës së gjatë të krizës është afër", tha ai. Por situata mbetet sfiduese.

Krizat janë normale

Megjithatë, ajo që po ndodh tani nuk është aq e pazakontë. "Gjithmonë ka pasur trazira dhe rivalitete ekonomike", shkruan historiani ekonomik me bazë në Frankfurt, Werner Plumpe. Nuk keni pse të shikoni aq larg prapa: Në vitet 2008/2009, pati krizë financiare globale. Në vitin 2012, euro filloi të lëkundej.

Më vonë, efektet e pandemisë së koronavirusit rrënuan shumë kompani. Tani, konfliktet tregtare në rritje po bëhen problem. Krizat janë pjesë e ekonomisë dhe proceseve. Kompanitë reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj krizave, modelet ekonomike janë gjithmonë në sprovë. Ato tani po riorientohen dhe po rishikojnë proceset. E proceset e këtilla nuk janë të lehta dhe ndikojnë në prodhim por edhe në punësime.

Reformat dhe sfidat

Gjermania ka vendosur të bëjë shumë investime në ekonomi, por a mjafton kjo? Ekonomistët thonë se ne mund të mësojmë nga vendet e tjera në procese të tilla ndryshimesh të thella. Kjo përfshin, për shembull, guximin për të provuar gjëra të reja.

"Hapja ndaj teknologjisë është gjithashtu e rëndësishme", thotë Chris-Oliver Schickentanz nga Capitell AG. "Në Gjermani, ne gjithmonë flasim shumë, shumë shpejt për rreziqet e teknologjive të reja, në vend që të shqyrtojmë më parë mundësitë e ofruara nga teknologjitë e reja si inteligjenca artificiale. Duhet të ketë reforma", kërkon Holger Schmieding i Berenberg Bank.

"Ne duhet të investojmë më shumë në infrastrukturë. Ne mund të mësojmë, për shembull, të jemi më pak të kujdesshëm në rregullore."

Vendet e tjera janë thjesht më të shpejta kur bëhet fjalë për krijimin e kushteve më të mira kornizë për kompanitë. Ekonomisti i Commerzbank, Krämer, përmend shtetet baltike, "të cilat kanë arritur të zhvillojnë një rol pionier në digjitalizim në një periudhë relativisht të shkurtër kohore".

Potencialet e Gjermanisë

Bota po bëhet më komplekse dhe më e fragmentuar, rivalitetet po bëhen më të dukshme. Megjithatë, Gjermania ka një shans të mirë për të dalë më e fortë nga këto procese ndryshimi. Kjo për shkak, ndër të tjera, të faktit se ajo ka një themel mbi të cilin mund të ndërtojë. Kjo përfshin sistemin arsimor, si dhe specialistë të trajnuar mirë në vend dhe, si më parë, kërkime të mira bazë në universitete.

Me paketën fiskale të qeverisë federale dhe reformën e frenës së borxheve, kompanitë duhet të kenë përsëri stimuj për të investuar.

Ndërsa sa i përket mosmarrëveshjes tarifore me Amerikën, eksperti Krämer thotë: "Nëse amerikanët nuk janë më tërheqës për investime, ku mund të investohet? Këtu hyn në lojë Evropa dhe Gjermania në veçanti. Prandaj duhet të jemi optimist të kujdesshëm". Ajo që e bën Gjermaninë kaq të veçantë është aftësia e saj për tu përshtatur nën presion të madh dhe kushte të vështira, duke u përshtatur kështu me sfidat e jashtme./DW



Lexoni të gjitha në Bota Sot