Napoli tashmë është e çmendur pas Kevin De Bruyne. Mesfushori belg, që sapo ka mbërritur në qytet, ka bërë debutimin e tij me fanellën e kaltër (45 minuta në miqësoren e humbur 2-0 ndaj Arezzos) dhe ka ndier menjëherë ngrohtësinë e tifozëve napolitanë.
“Ndjehem mirë, sigurisht që jam këtu vetëm prej 10 ditësh dhe po punojmë shumë. Niveli është i lartë, por dua ta njoh më mirë skuadrën, shokët dhe trajnerin. Këtë do ta bëj gjatë javëve në vijim”, – ishin fjalët e para të ish-yllit të Manchester City për “Sky Sport” nga grumbullimi në Dimaro.
De Bruyne foli edhe për presionin dhe mbështetjen e tifozëve:
“Presioni nuk është i lehtë, por duhet pranuar. Kur ke tifozë si ata të Napolit, të shtyjnë të japësh më shumë. Në këtë nivel, secili duhet të marrë përgjegjësinë e vet dhe të përgatitet sa më mirë për muajin e ardhshëm. Kjo është ajo që po bëjmë. Po punojmë shumë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”.
Më pas, belgu foli për ndryshimet mes Pep Guardiolës dhe Antonio Contes: “Guardiola ka ndoshta një stil më ofensiv, ndërsa Conte priret të jetë pak më mbrojtës, por është e vështirë ta them tani, pasi kemi vetëm 10 ditë që punojmë së bashku. Me Pep kam punuar 9 vite, e njoh mirë, me gjithë stilin e tij të lojës. Këtu do të ketë taktika pak më ndryshe, por kjo është normale. Kam gjithë kohën për ta njohur trajnerin dhe mënyrën e tij të punës, por ky ndoshta është ndryshimi kryesor”.
Në fund, De Bruyne komentoi edhe përgatitjet para sezonit: “Nuk jam shumë i shqetësuar, për mua më e rëndësishme është ta njoh më mirë skuadrën. Sigurisht që duam të fitojmë, ndaj Arezzos mund të kishim fituar lehtësisht, por nuk arritëm të shënonim. Tani do të përpiqemi të bëjmë më mirë”.