Kryeministri i Hungarisë bllokon buxhetin e BE-së, Orban: Nuk e miratojmë pa u zhbllokuar fondet e ngrira që na takojnë

- Bota Sot

Kryeministri i Hungarisë bllokon buxhetin e BE-së, Orban: Nuk e miratojmë pa u zhbllokuar fondet e ngrira që na takojnë

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, deklaroi sot se vendi i tij nuk do ta mbështesë buxhetin e ri shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian nëse Brukseli nuk zhbllokon të gjitha fondet evropiane që janë aktualisht të ngrira për Hungarinë.

Prej më shumë se 15 vitesh, udhëheqësi nacionalist është në konflikt të vazhdueshëm me institucionet evropiane për politikat e tij të ashpra ndaj emigracionit, kufizimet e vendosura ndaj të drejtave të komunitetit LGBTI+ dhe për, siç thonë kritikët, përkeqësimin e demokracisë në Hungari.

Si pasojë, Bashkimi Evropian ka pezulluar miliarda euro fonde që i ishin caktuar vendit, ndërsa përplasjet për sundimin e ligjit vazhdojnë ende.

“Miratimi i buxhetit të ri shtatëvjeçar kërkon unanimitet dhe për sa kohë që ne nuk i kemi marrë fondet që na takojnë, nuk do të ketë buxhet të ri të BE-së,” tha Orbán gjatë një fjalimi në qytetin Băile Tușnad të Rumanisë.

Orbán akuzoi gjithashtu Bashkimin Evropian për mbështetje të njëanshme ndaj Ukrainës, duke pretenduar se Brukseli po përpiqet të ndërhyjë drejtpërdrejt në zgjedhjet kombëtare të vitit të ardhshëm në Hungari.

“Plani është të vendosin një qeveri pro-ukrainase dhe pro-Brukselit në Budapest,” u shpreh ai.

Sipas tij, udhëheqja aktuale e BE-së po e çon Unionin drejt një lufte tregtare që “Evropa nuk mund ta fitojë”. Ai shtoi: “Kjo udhëheqje do të jetë gjithmonë e fundit që nënshkruan marrëveshje me SHBA-në dhe gjithmonë ato më të këqijat.”

Kryeministri hungarez bëri thirrje për një ndryshim rrënjësor në udhëheqjen e Bashkimit Evropian, duke e konsideruar të domosdoshme për të shmangur çfarë ai e cilësoi si “dështime të përsëritura në marrëdhëniet me SHBA-të dhe menaxhimin e krizave”.

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të takohet nesër në Skoci me presidentin amerikan Donald Trump, me zyrtarët evropianë që shpresojnë në arritjen e një kornize për një marrëveshje tregtare gjatë fundjavës.

Komisioni Evropian ka propozuar këtë muaj një buxhet të ri për periudhën 2028–2034 në vlerën e 2 trilionë eurove, me fokus të veçantë në rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike dhe forcimin e mbrojtjes evropiane.

Orbán, megjithatë, akuzoi burokratët evropianë si “mbështetës të globalizmit” që po përpiqen, sipas tij, të transferojnë fondet evropiane drejt Ukrainës.

“Ndërkohë që burokratët e Brukselit planifikojnë nga zyrat, fermerët tanë po ngrihen për të mbrojtur të ardhmen e tyre,”përfundoi ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot