Rusia gati të hap një front të ri të luftës – dërgon ushtrinë në kufi me Armeninë

- Bota Sot

Rusia gati të hap një front të ri të luftës – dërgon ushtrinë në kufi me Armeninë

Në një zhvillim të fundit që ka ngjallur shqetësime rajonale, Rusia po shton në mënyrë të konsiderueshme praninë ushtarake në Armeni.

Sipas burimeve të gazetës armene Graparak, gjatë javëve të fundit në bazën ushtarake ruse në qytetin Gyumri janë dërguar në masë armë, municione dhe pajisje të tjera ushtarake. Raportohet se aeroplanë transportues ushtarak kanë zbarkuar çdo ditë në këtë bazë, duke sjellë ngarkesa të konsiderueshme të pajisjeve luftarake.

Autoritetet armene deri më tani nuk kanë bërë ndonjë koment zyrtar në lidhje me këtë zhvillim. Po ashtu, edhe autoritetet ruse nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë publike, duke mbajtur një qasje të heshtur në një kohë kur tensionet në rajon janë në rritje.

Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet ruso-armene, të cilat janë përkeqësuar kohët e fundit për shkak të afrimit gjithnjë e më të madh të Armenisë me Perëndimin, si dhe tensioneve të vazhdueshme me Azerbajxhanin. Për më tepër, Rusia ndodhet në një konflikt të ashpër diplomatik me Azerbajxhanin, i cili akuzon Kremlinin për mbështetje të heshtur ndaj interesave armene në rajon.

Sipas Graparak, kjo lëvizje e Moskës mund të jetë një përpjekje për të ruajtur ndikimin strategjik në Kaukazin Jugor, në një kohë kur Armenia ka sinjalizuar se mund të largohet nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) dhe Bashkimi Ekonomik Euroaziatik – dy struktura të dominuara nga Rusia, raportojnë mediat.

Disa analistë vlerësojnë se Kremlini po përgatitet për një realitet të ri gjeopolitik në të cilin Armenia nuk do të jetë më pjesë e aleancave tradicionale me Rusinë.

Për momentin, nuk dihet saktësisht qëllimi i dërgesave ushtarake, por prania në rritje e trupave dhe armatimeve në Gyumri mund të përbëjë një përpjekje për të forcuar pozitat ruse në rajon dhe për të dërguar një mesazh të qartë si për autoritetet armene, ashtu edhe për rivalët gjeopolitikë të Rusisë.

Zhvillimet e mëtejshme priten me shqetësim nga aktorët ndërkombëtarë, të cilët e shohin Kaukazin si një zonë me potencial të lartë për përplasje të reja ushtarake dhe ndërlikime gjeopolitike. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot