Trajneri i Milanit, Massimiliano është shprehur i kënaqur me fitoren dhe paraqitjen e skuadrës së tij ndaj Liverpoolit.
‘Rossonerët’ mundën Liverpool-in, me rezultat 4-2, të shtunën në miqësoren e luajtur në Hong Kong.
Edhe pse ndeshje përgatitore, performanca e Milanit tregoi një skuadër me identitet të qartë dhe në rritje të vazhdueshme.
“Shoh një qëndrim shumë të mirë nga djemtë dhe kjo më bën shumë të lumtur”, tha Allegri.
“Ata po punojnë shumë mirë gjatë këtij parasezoni dhe mbi të gjitha, niveli i përgjithshëm është rritur ndjeshëm. Kjo do të thotë që edhe kur nuk kemi topin, skuadra mbrohet me organizim dhe qetësi”, theksoi strategu italian.
Ai foli edhe për Rafael Leaos, i cili realizoi një gol, dha një asist.
“Rafa luajti shumë mirë si sulmues. E konsideroj atë një lojtar të rëndësishëm me cilësi të jashtëzakonshme. Ai po rritet dhe tashmë është në moshën ideale për të zhvilluar një sezon në nivelin më të lartë”, pohoi Allegri.
Fitorja ndaj një ekipi si Liverpool, edhe në një miqësore, është një sinjal pozitiv për kuqezinjtë dhe për trajnerin Allegri, i cili duket se po ndërton një skuadër të balancuar dhe të etur për sukses në sezonin që po afrohet.