Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka sqaruar arsyen pse Luis Diaz mungoi në miqësoren ndaj Milan, duke lënë të kuptohet se një kalim te Bayern Munich është shumë pranë realizimit.
Slot ndezi edhe më shumë spekulimet që qarkullojnë për të ardhmen e kolumbianit, duke konfirmuar se mungesa e tij nga skuadra për ndeshjen e së shtunës ishte e lidhur me zërat për një transferim të afërt.
Diaz, i cili ka edhe dy vite kontratë të mbetura me Liverpoolin, thuhet se ka shprehur dëshirën për t’u larguar pas tre sezoneve në Ligën Premier.
Më herët gjatë afatit kalimtar, Barcelona kishte shfaqur interes për sulmuesin kolumbian, por në fund zgjodhi të transferojë Marcus Rashford, për shkak të kufizimeve financiare.
Bayern Munich është e vendosur të finalizojë marrëveshjen për Diaz, pavarësisht se oferta e tyre e parë prej 59 milionë eurosh u refuzua nga Liverpool.
Sipas raportimeve, kampionët në fuqi të Anglisë kërkojnë një shumë që kalon 70 milionë euro për kartonin e kolumbianit.
“Në rastin e Luchos, ishte për shkak të spekulimeve, po. Ka shumë zëra rreth tij kohët e fundit dhe nuk mund të hyj në detaje”.
“Po stërvitet shumë mirë me ne, por për momentin kemi vendosur të mos e aktivizojmë në ndeshje. Nuk mund të komentoj më shumë për këtë”, ka thënë Slot.
Mediat britanike dhe gjermane raportojnë se Liverpool mund të zbutë qëndrimin e tij mbi vlerësimin e lojtarit dhe të pranojë ofertën e dytë të Bayern Munich, e cila është gati t’i ofrojë 28-vjeçarit një kontratë deri në vitin 2029 ose 2030.