Liverpool po bën përpjekje për të mbajtur Ibrahima Konate në “Anfield”, duke i ofruar një rinovim të majmë financiar që të shmangë një largim të mundshëm drejt Real Madridit.
Sipas raportimeve të fundit, klubi anglez ka përmirësuar ndjeshëm ofertën e pagës vjetore për francezin, i cili ka hyrë në vitin e fundit të kontratës.
Real është i interesuar për Konaté, por nuk është i gatshëm të paguajë më shumë se 25 milion euro, ndërsa Liverpul kërkon 50 milionë për ta lënë të lirë që këtë verë.
Alternativa e vetme për “Los Blancos” duket të jetë pritja deri në vitin 2026, kur lojtari mund të largohet me parametra zero. Konaté do një rritje të pagës deri në 200,000 sterlina në javë, ndërsa aktualisht merr rreth 80,000 sterlina.
Liverpul i ka ofruar një rinovim deri në vitin 2029, me bonuse të përfshira.
Duket se klubi është i vendosur të mos përsërisë rastin e Trent Alexander-Arnold, i cili u largua drejt Madridit si lojtar i lirë. Sipas asaj që thuhet Konaté nuk është i vendosur për t’u larguar, por negociatat janë të ngadalta dhe nuk ka ende një marrëveshje që të vendosë fjalën “fund”.