Parada e marinës ruse anulohet për “arsye sigurie”

- Bota Sot

Parada e marinës ruse anulohet për “arsye sigurie”

Rusia tha të dielën se një paradë e madhe vjetore detare ishte anuluar për “arsye sigurie”, pa specifikuar kërcënimin apo shqetësimin.

“Kjo ka të bëjë me situatën e përgjithshme. Arsyet e sigurisë janë me rëndësi të madhe”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, i cituar nga agjencitë ruse të lajmeve, shkruajnë mediat e huaja.

Parada ishte menduar të ishte kulmi i Ditës së Marinës së Rusisë, e cila bie të dielën e fundit të korrikut të çdo viti dhe nderon marinarët e vendit.

Por autoritetet lokale në qytetin bregdetar të Shën Petersburgut, ku ishin planifikuar të kalonin anijet luftarake dhe nëndetëset, thanë të premten se parada ishte anuluar pa dhënë ndonjë arsye.

Presidenti rus Vladimir Putin – i cili rivendosi Ditën e Marinës në 2017, gati katër dekada pasi u anulua në kohën sovjetike – nuk u shfaq personalisht këtë vit për herë të parë.

Në vend të kësaj, ai u shfaq në një mesazh video duke përshëndetur “trimërinë” dhe “heroizmin” e marinarëve të Rusisë që morën pjesë në ofensivën në Ukrainë.

Rusia, e cila nisi operacionin e saj ushtarak në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 me bombardime të përditshme të fqinjit të saj, është përballur me sulme hakmarrëse me dronë ukrainas në territorin e saj në muajt e fundit.

Dhe Ministria ruse e mbrojtjes tha të dielën se 100 dronë ukrainas u rrëzuan gjatë natës.

Të paktën 10 prej tyre u kapën jo shumë larg Shën Petersburgut dhe një grua u plagos, tha guvernatori i rajonit veriperëndimor të Leningradit, Aleksandr Drozdenko, në Telegram.

Ky sulm me dronë ndërpreu gjithashtu operacionet në aeroportin Pulkovo të Shën Petersburgut, duke vonuar dhjetëra fluturime, thanë autoritetet e objektit. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot