Rasti Duglas Luiz po kthehet në një nga temat më të nxehta të verës për Juventusin. Mes spekulimeve për një largim të mundshëm dhe tensioneve të reja në rritje, braziliani ka munguar pa justifikim në ditën e parë të grumbullimit në Kontinasa, duke hapur një kapitull të ri të paqartësive për të ardhmen e tij në Torino.
Në orët e fundit, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” kanë zhvilluar kontakte me agjentët e mesfushorit, të cilët kanë komunikuar vullnetin e lojtarit për t’u paraqitur në stërvitje javën që vjen.
Megjithatë, ky vendim i vonuar shihet si një sinjal i qartë për prishjen e raportit mes palëve dhe rrit ndjeshëm mundësinë që Duglas Luiz të largohet nga bardhezinjtë gjatë kësaj merkatoje.
Në bisedat e zhvilluara deri më tani, nuk janë diskutuar arsyet e vërteta të mungesës së tij. Pritet që menjëherë pas rikthimit në Torino të zhvillohet një takim “kokë më kokë” mes lojtarit dhe drejtuesve të klubit, për të sqaruar situatën dhe për të vendosur mbi të ardhmen. Nga ana tjetër, Juventusi nuk ka ndërmend të tolerojë këtë sjellje.
Klubi është duke përgatitur masa disiplinore për mungesën e pajustifikuar, duke e trajtuar çështjen me seriozitetin e duhur. E ardhmja e Duglas Luiz te Juventusi mbetet e pasigurt, ndërsa tifozët dhe klubi presin me interes kthimin e tij, që mund të jetë edhe preludi i një divorci të afërt.