Zbulohet’ oferta e majme që Alexander Isak e ka refuzuar për ta pritur Liverpoolin

- Bota Sot

Zbulohet’ oferta e majme që Alexander Isak e ka refuzuar për ta pritur Liverpoolin

Alexander Isak ka një qëllim të qartë.

Sulmuesi suedez i Newcastle, në moshën 27-vjeçare, ka refuzuar një ofertë marramendëse nga Al Hilal për të mbajtur gjallë ëndrrën e tij për të veshur fanellën e Liverpoolit.

Pavarësisht përpjekjeve të jashtëzakonshme të klubit saudit, i cili i ofroi një kontratë historike, lojtari ka zgjedhur të presë që “reds” të arrijnë një marrëveshje me klubin e tij aktual.

Isak nuk ka udhëtuar as me skuadrën e Newcastle në turneun parasezonal. Vendimi i tij është i palëkundur: ai dëshiron të luajë në Anfield. Ndërkohë, drejtuesit e Al Hilal nuk kanë kursyer asgjë për ta joshur.

Sipas Mundo Deportivo, përveç një page vjetore prej 35 milionë eurosh dhe një bonusi nënshkrimi prej 16 milionë, paketa përfshinte edhe shpërblime për çdo gol (34 mijë euro), asist (21 mijë), trofe të fituar dhe madje edhe çmime individuale si golashënuesi më i mirë. Ata ishin gjithashtu të gatshëm të mbulonin shpenzimet personale deri në 137 mijë euro në muaj, si dhe t’i ofronin një shtëpi dhe një shofer personal.

Por asgjë nga këto nuk ka mjaftuar. Ish-lojtari i Real Sociedad dëshiron të vazhdojë të konkurrojë në nivelin më të lartë në Evropë. Ai e di që Liverpool e ka ndjekur prej kohësh dhe është i gatshëm të presë që klubi nga Merseyside të vendosë të negociojë me “Magpies”. Problemi qëndron tek kërkesa e lartë e Newcastle: ata e konsiderojnë largimin e Isak vetëm për një shumë astronomike – 150 milionë euro. Ndërsa milionat nga Arabia Saudite mbeten pas, Isak ruan të paprekur ambicien e tij sportive. Qëllimi është i qartë: të shkëlqejë në Premier League me fanellën e Liverpoolit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot