Barcelona ia kthen shpinën Ter Stegen?

- Bota Sot

Barcelona ia kthen shpinën Ter Stegen?

Marc-Andre Ter Stegen po përballet me një të ardhme të pasigurt te Barcelona, por të paktën për këtë verë, ai pritet të qëndrojë në klub.  

Kjo pasi ai ka vendosur të nënshtrohet një operacioni për një problem në shpinë, që do ta mbajë jashtë fushave për të paktën tre muaj. 

Ishte vetë Ter Stegen ai që e bëri publike lajmin për operacionin, por njoftimi i tij nuk u prit mirë nga zyrtarët e Barcelonës. 

Ekziston një bindje brenda klubit se portieri 33-vjeçar qëllimisht deklaroi se periudha e rikuperimit do të jetë tre muaj, që do të thotë se klubi nuk do të mund të përdorë 80 për qind të pagës së tij për të regjistruar njërin nga Joan Garcia apo Wojciech Szczesny. 

Për këtë arsye, brenda klubit ka pasur thirrje që Ter Stegen të humbasë rolin e kapitenit. 

Aktualisht, ai është kapiteni i parë i skuadrës, megjithatë kjo mund të ndryshojë. Skuadra e parë e Barcelonës do të vendosë për grupin e kapitenëve pak para nisjes së sezonit 2025/2026, dhe sipas Mundo Deportivo, trajneri Hansi Flick do të ketë gjithashtu një votë, njësoj si çdo lojtar tjetër. 

Barcelona po hyn në sezonin e ri me optimizëm të ripërtërirë, dhe ka besim falë suksesit të sezonit të kaluar,  gjatë të cilit fitoi La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës. 

Por situata me Ter Stegen padyshim që po krijon një re të zezë mbi klubin. Zgjidhja ideale për Barcelonën do të ishte shitja e Ter Stegen, i cili nuk është më pjesë e planeve, gjë që Flick ia ka komunikuar tashmë atij.



Lexoni të gjitha në Bota Sot