FIFA akuzon sindikatën e lojtarëve për shantazh dhe mashtrim

- Bota Sot

FIFA akuzon sindikatën e lojtarëve për shantazh dhe mashtrim

FIFA ka reaguar ashpër ndaj FIFPro-s, sindikatës globale të lojtarëve, duke e akuzuar për “mashtrim”, “shantazh” dhe “operim në errësirë” lidhur me llogaritë e saj financiare. Organizata drejtuese e futbollit botëror kritikoi FIFPro-n për “sulme personale dhe mungesë respekti”, duke sugjeruar se udhëheqja e saj nuk përfaqëson me të vërtetë interesat e lojtarëve.

Tensionet mes FIFA-s dhe FIFPro-s janë rritur për shkak të kalendarit gjithnjë e më të ngarkuar të futbollit dhe shqetësimeve për mirëqenien e lojtarëve. Para finales së Kupës së Botës për Klube, FIFA njoftoi një pushim minimal prej tre javësh jashtë sezonit dhe 72 orë pushim mes ndeshjeve, por pa përfshirë përfaqësuesit e FIFPro-s në takim.

“FIFPRO ka zgjedhur konfrontimin publik në vend të bashkëpunimit konstruktiv”, tha një zëdhënës i FIFA-s, duke shtuar se reformat e tyre synojnë “ndryshime reale” për mbrojtjen e lojtarëve. FIFA përmendi futjen e pesë zëvendësimeve dhe protokollet për tronditjet si shembuj të masave konkrete në favor të lojtarëve.

Nga ana tjetër, presidenti i FIFPro-së, Sergio Marchi, akuzoi FIFA-n se po vë përfitimet financiare përpara shëndetit të lojtarëve, duke përmendur Kupën e Botës për Klube të zhvilluar në kushte ekstreme. Chelsea u shpall fitues më 13 korrik, vetëm 35 ditë para nisjes së sezonit të Premier League, duke ngritur shqetësime për mungesën e pushimit.

FIFPro ka akuzuar gjithashtu FIFA-n për një qasje “autorokratike” dhe për neglizhimin e kërkesave të lojtarëve, ndërsa 58 sindikata të lojtarëve kanë shprehur shqetësime të ngjashme.

FIFA ka ftuar FIFPro-n të rikthehet në tryezën e bisedimeve “pasi të ndalojë shantazhin” dhe të publikojë llogaritë financiare, statutet dhe listën e plotë të anëtarëve që pretendon se përfaqëson.



Lexoni të gjitha në Bota Sot