Çfarë dihet për aksidentin tragjik me tren në Biberach?

- Bota Sot

Çfarë dihet për aksidentin tragjik me tren në Biberach?

Të paktën dy vagona të trenit që ishte në rrrugën nga Sigmaringen për në Ulm, Gjermani dolën nga shinat. Tre vetë humbën jetën, 41 të tjerë u lënduan. Mes viktimave ishte drejtuesi i lokomotivës, një punonjës i hekurudhës dhe një pasagjer. Me gjasa shkak i aksidentit është bërë një rrëshqitje dheu, por hetimet vazhdojnë. 

Aktualisht nuk ka prova për ndërhyrje nga jashtë. Në momentin e aksidentit ka pasur reshje të forta, tha një zëdhënës i policisë në Ulm për ARD, dyshohet se ujërat kanë rrjedhur poshtë argjinaturës, duke shkaktuar një rrëshqitje dheu." Me sa duket kjo rrëshqitja e dheut ka prekur shinat dhe ka të ngjarë të ketë shkaktuar daljen e trenit nga shinat. Hetimet nuk kanë përfunduar ende.

Kancelari Friedrich Merz (CDU) deklaroi në X se aksidenti hekurudhor në Biberach e ka tronditur. "Ne mbajmë zi për viktimat. U shpreh ngushëllimet e mia familjeve të tyre." Merz deklaroi se është në kontakt të ngushtë me Ministrin e Brendshëm dhe Ministrin e Transportit dhe u ka kërkuar atyre të mbështesin shërbimet e shpëtimit me të gjitha mjetet e mundshme. Ministri gjerman i Transportit Patrick Schnieder (CDU) deklaroi: "Situata në vendngjarje është tronditëse. Përmasat e aksidentit hekurudhor pranë Riedlingen vetëm mund të hamendësohen." Schnieder shtoi se autoritetet janë në kontakt të ngushtë me hekurudhën gjermane dhe po ofrojnë mbështetje "kudo që të jetë e mundur". "Ekspertët tanë janë në rrugë për të hetuar shkakun e aksidentit së bashku me autoritetet hetuese."

Qindra forca shpëtimi ishin të dielën (27.07.) në vendin e aksidentit. Aktualisht linja hekurudhore aty është mbyllur. Në faqen e internetit të hekurudhës gjermane, u njoftua, se shërbimi hekurudhor midis Munderkingen dhe Herbertingen është pezulluar./DW



Lexoni të gjitha në Bota Sot