“Intelektualët” paralajmërojnë organizim të madh për ndeshjen Drita-Copenhagë

- Bota Sot

“Intelektualët” paralajmërojnë organizim të madh për ndeshjen Drita-Copenhagë

Të martën, ekipi i Dritë do të zbresë sërish në arenën ndërkombëtare, në kuadër të garave evropiane. Një tjetër ndeshje historike e pret skuadrën nga Gjilani, e cila synon të shkruajë një tjetër kaptinë të artë në rrugëtimin e saj kontinental.

Drita do të përballet me Copenhagen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ku do të kërkojë përmbysjen e rezultatit pas humbejs 2-0 në ndeshjen e parë të zhvilluar javën e kaluar.

Sfida që zhvillohet të martën në mbrëmje pritet të jetë përplot emocion dhe intensitet, ndërsa mbështetja nga tribunat do të jetë vendimtare. Në këtë drejtim, grupi i tifozëve “Intelektualët” ka bërë thirrje për mobilizim të gjerë nga të gjitha gjeneratat dhe dashamirët e klubit, duke kërkuar prezencë, përkrahje dhe përkushtim të plotë.

Tubimi i tifozëve do të nisë që nga ora 17:00 te stadiumi “Selami Osmani” në Gjilan, prej nga do të niset në mënyrë të organizuar drejt kryeqytetit, ku tifozët do të vendosen në tribunën veriore të stadiumit në Prishtinë.

Klubi dhe grupi i tifozëve kanë bërë thirrje që të gjithë të nxitohen për sigurimin e biletave, të cilat po shiten me ritëm të lartë te Teatri i Qytetit në Gjilan.

Njoftimi i plotë i ‘Intelektualëve’

Pasnesër mbrëma është një tjetër natë e madhe Europe, një tjetër kaptinë në historikun tonë Bardhë e Kaltër. Të Martën në mbrëmje, DRITA në fushë dhe ne në tribinë, do të vazhdojmë me germa të arta, t’a shkruajmë historinë tonë europiane!

Na pret një ndeshje madhore, një betejë e fortë, ku kërkohet një mobilizim masiv nga e gjithë tifozëria. Kërkojmë nga të gjitha gjeneratat e Intelektualëve, nga të gjithë antarët dhe djemtë e Qytetit, prezencë dhe impenjim, përkrahje maksimale ndaj klubit tonë të zemrës, por edhe vet grupit, që në netë të tilla duhet të vazhdoj me shumë përkushtim dhe lavdi, t’a mbaj primatin në elitën e tifoskenës Shqipëtare!

Mblidhemi te stadiumi “Selami Osmani”, prej orës 17:00. Të gjithë nga aty, nisemi në mënyrë të organizuar drejtë Prishtinës. Rikujtim se vendosemi në tribinën veriore të stadiumit. Nxitoni për bileta, të cilat në ritëm të lartë, po shiten te Teatri i Qytetit.

HAPET ULTRAS UNIVERSITETI … MIRË SE VINI N’FERRIN TONË



Lexoni të gjitha në Bota Sot