Karriget e caktuara të pushtetit, si i eliminoi Enver Hoxha nacionalistët pas Konferencës së Mukjes! Kërkesa për bashkimin me Kosovën

- Bota Sot

Karriget e caktuara të pushtetit, si i eliminoi Enver Hoxha nacionalistët pas Konferencës së Mukjes! Kërkesa për bashkimin me Kosovën

Sa për intermexo, po e nisim me Konferencën e Mukjes, pasi jemi në 82- vjetorin e mbajtjes së saj. Ishte një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. U zhvillua nga data 1 deri më 3 gusht 1943, në fshatin Mukje, afër Krujës. Në të u mblodhën përfaqësues të Ballit Kombëtar dhe të Frontit Nacionalçlirimtar, me synim që të arrihej një marrëveshje për bashkimin e forcave shqiptare në luftën kundër pushtuesit fashist. Qëllimet e Konferencës ishin: Bashkimi i të gjitha forcave patriotike për çlirimin e Shqipërisë; Formimi i një qeverie të përkohshme pas çlirimit; Shpallja e vetëvendosjes së shqiptarëve, përfshirë çështjen e Kosovës, që të bashkohej me Shqipërinë pas Luftës. Ndërsa marrëveshja kryesore që u arrit ishte: Bashkëpunimi ushtarak dhe politik mes Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacional Çlirimtar; Formimi i një qeverie demokratike shqiptare pas luftës, dhe Shqipëria etnike – pranimi i parimit që trojet shqiptare (si Kosova) të bashkoheshin në një shtet pas çlirimit. Çfarë ndodhi?! Menjëherë pas Konferencës, Partia Komuniste Shqiptare, nën ndikimin e jugosllavëve, e hodhi poshtë marrëveshjen, sidomos pjesën për Kosovën. Komunistët e cilësuan Ballin Kombëtar si bashkëpunëtor me okupatorin, gjë që çoi në konflikt të armatosur mes palëve. Konferenca e Mukjes dështoi si bashkëpunim afatgjatë, por mbeti një simbol i përpjekjes për bashkim.

KONFERENCA E PEZËS

Ishte e para Konferencë madhore paraprirëse e asaj të Mukjes, që u mblodh në skarierën politike gjatë Luftës dhe u mor me çështjen kombëtare, por që dy jugosllavët krijues të partisë komuniste (Miladini dhe Dushani), nuk e lanë të bëhej. U mblodh më 16 shtator të vitit 1942, ku morën pjesë të majtë e të djathtë dhe aty ishin edhe nacionalistët Abaz Kupi, Kamber Qafmolla, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Halim Begeja, Ismail Petrela etj. Ishin edhe të majtët, komunistët, Koço Tashko, Nako Spiro, Ramadan Çitaku, Enver Hoxha, Muharrem Butka, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Nexhmije Xhuglini dhe dy simpatizantë të komunistëve, Myslym Peza dhe Mustafa Xhani. Në Pezë pas kuintave rrinin e urdhëronin komunistët jugosllavët Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Duke nuhatur këtë situatë, që në fillim të mbledhjes Ramazan Jarani nga nacionalistët, theksoi se “me komunistët kemi një problem, ata nuk e pranojnë Shqipërinë Etnike”. Megjithëse pati një situatë të tensionuar u vendos konsensusi dhe themelorja e punimeve të Konferencës së Pezës ishte ajo se aty u vendos nga të gjithë e njëzëri “luftë kundër pushtuesve “pa dallim krahine, feje dhe ideje politike”. Mbi bazën e kësaj devize funksionojë më pas gjithë Lëvizja Antifashiste, së cilës iu bashkuan shumë nacionalistë, që Enver Hoxha nisi t’i eliminonte njërin pas tjetrit.

KARRIGET E CAKTUARA

Sipas kujtimeve të Dr. Halim Begesë, kur akoma nuk ishim në karriget e caktuara, Enver Hoxha (sipas udhëzimeve nga kuinta) propozoi për në kryesi të mbledhjes Kamber Qafmollën me anëtarë: Ndoc Çobën dhe Abaz Kupin. Me këtë veprim komunistët synonin të komprometonin pjesëmarrjen e nacionalizmit e që më vonë ta trumbetonin, ashtu siç përfituan prej emrit të Abaz Kupit. Konferenca e Pezës ndonëse ishte pluraliste, atje vetëm nga nacionalistët u diskutua çështja e Kosovës dhe u arrit edhe të sanksionohej në vendimet e saj se “në Kosovë e viset e tjera shqiptare jashtë kufijve, të kishte të njëjtin organizim dhe po atë formë pushteti siç do të bëhej në Shqipëri”. E vërteta është se këto vendime për Kosovën nuk u zbatuan asnjëherë, siç nuk u zbatua apo që ishte një mashtrim pjesa devizë e vendimit të Konferencës së Pezës “luftë pa dallim feje, krahine apo ideje” që kjo e fundit (ideja) kishte të bënte me përkatësitë politike, me partitë politike. Mirëpo jo shumë muaj pas këtij vendimi, organizohet një mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm NaÇl e cila jo vetëm nuk e zuri në gojë më “devizën” e Pezës “pa dallim ideje” por theksoi jo më idenë por kudo për rolin udhëheqës të partisë komuniste e për pushtetin komunist. Bazuar te deviza e Pezës, populli gradualisht u ngrit në Luftën Antifashiste, por ideja e Pezës në dukje përbashkuese rezultoi përçarëse me organizime Balliste, Legaliste e Komuniste. Edhe një herë personalitetet e kohës u mblodhën jo më në Pezë e Labinot, por ne Mukje.

KONFERENCA E MUKJES

Menjëherë pas mbarimit të Konferencës apo mbledhjes, e cila i zhvilloi punimet në 1 deri më 3 gusht 1943 në Mukje të Krujës, Dr. Ymer Dishnica njëri nga përfaqësuesit zyrtarë të nacionalçlirimtares (tjetri ishte Mustafa Gjinishi) i dërgoi me një letër vendimet e saj në qendër. “Pasi vjen letra njoftuese nga Shavango (Doktor Ymer Dishnica), tregonte Flora Dishnica, (ish -sekretare e Shtabit të Përgjithshëm në rezidencën Labinot Mal), në dhomën zyrë të Shtabit, Dushani (Mugosha)i bërtiste Enverit sa tundej shtëpia. Përkthente Baca (Ramadan Çitaku). Unë vura duart në kokë se mendova se “ata u vranë”. Bërtiste Dushani sa tundej dyshemeja dhe i bërtiste Enverit, ndërsa zëri i Enverit nuk dëgjohej. Dëgjova që e shau Enverin serbisht mbarë e mbrapsht. Kur doli nga dhoma dhe u largua Dushani, pas pak doli Enveri. Kur më pa mua aq të tronditur, mu afrua dhe më tha se “përse u mërzite Flora, nga tonacioni jonë!? Po kështu e kanë këto punë…”.

Jugosllavëve iu duhej një njeri i tillë si Enver Hoxha në atë kohë që e luante për mrekulli rolin aktorial “lepepeqe”, vetëm dëgjues e zbatues, autoritar në dukje e servil në substancë, por mbi gjithçka i dëgjueshëm, pranues i gjithçkaje që u duhej jugosllavëve, veçanërisht i pranimit të idesë të mos kërkimit e të mënjanimit të çështjeve për Shqipërinë Etnike. Këtë, ata të “dy jugosllavët” e morën vesh që kur u takuan për herë të parë me Enver Hoxhën, jo vetëm nga Koço Tashko e Ymer Dishnica, por që kishin rekomandime edhe nga Shtabi i Titos e personalisht nga Stanoje Simiç, i cili e kishte “rekrutuar” Enver Hoxhën kur Simiçi ishte konsull i Mbretërisë Jugosllave në Korçë dhe Enver Hoxha mësues atje i Liceut. Çfarë u vendos në Mukje? U firmos një rezolutë që përmbante këto pika kryesore: Organizimi i një Konference të Përgjithshme Kombëtare. Përcaktimi i një qeverie të përkohshme kombëtare. Krijimi i një Komiteti për Çlirimin e Shqipërisë. Njohja e së drejtës së vetëvendosjes për Kosovën, si pjesë e një Shqipërie etnike. Dhe ky dokument u quajt më vonë “Marrëveshja e Mukjes”. Përçarja dhe rrëzimi i Marrëveshjes pas presionit nga jugosllavët, më 8 gusht 1943, vetëm pak ditë pas Konferencës, Komiteti Qendror i PKSH-së nxori një qëndrim zyrtar kundër, duke e quajtur atë “tradhti ndaj popullit”, për shkak të synimit për Shqipërinë Etnike dhe përfshirjes së Kosovës në të. Ky qëndrim ishte përçarja e madhe mes komunistëve dhe nacionalistëve. Edhe pse dështoi në zbatim, Konferenca e Mukjes mbetet një përpjekje e rrallë për bashkim kombëtar. Sot ajo shihet si simbol i një momenti ku shqiptarët mund të kishin pasur një drejtim tjetër politik, larg diktaturës komuniste.

KONFERENCA E BUJANIT

Në 31 dhjetor deri 2 janar 1944, në fshatin Bujan të Tropojës të malësisë së Gjakovës u mbajt një nga mbledhjet më të rëndësishme të çështjes sonë kombëtare gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo që është quajtur Konferenca e Bujanit. Konferenca, që vetëm vitet e fundit është evidentuar disi nga dënimi dhe harresa 50 vjeçare komuniste, kishte për objeksion Kosovën në Luftën Antifashiste dhe të ardhmen e saj pas lufte. Aty në Bujan u nënshkrua një Rezolutë historike e dënuar nga serbomëdhenjtë, ku Kosovës sipas asaj Rezolute, i njihej e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje dhe realizimi i dëshirës së popullit shqiptar të Kosovës për bashkim me Shqipërinë. Në Konferencën e Bujanit morën pjesë 49 delegatë nga 63 te programuar, ndaj ajo zgjodhi kryesinë për drejtimin e punimeve të Konferencës, të përbërë prej 9 vetash : Mehmet Hoxha (kryetar)ish-prefekt i Elbasanit, Rifat Berisha (nënkryetar), Pavle Joviçeviçin (nënkryetar), Xheladin Hana (anëtar), Fadil Hoxha (anëtar), Hajdar Dushi (anëtar), Zekeria Rexha (anëtar), Milan Zeçarin (anëtar) dhe Ali Shukriu (anetar) ndërsa Tefik Çanga (sekretar). Në punimet e Konferencës së Bujanit mori pjesë edhe një përfaqësuesi i misionit anglez, major Baily, i cili edhe foli në Konferencë e në mes të të tjerave siç shkruan Proces Verbali i Konferencës, ai theksoi se “kam pasur kontakte me shume njerëz me botëkuptime te ndryshme politike. Lëvizja Antifashiste është e vetmja lëvizje që lufton kundër armikut të përbashkët-fashizmit”. Nga gjurmimi i dokumenteve rezulton, gjithashtu, se Konferenca pati vlerësimet më të mëdha si nga përfaqësuesi anglez majori Baily, i cili mori pjese e foli ne punimet e sajë ashtu edhe nga shqiptarët udhëheqës e drejtues të Luftës Antifashiste si komandanti Shaban Haxhia dhe figura të tjera të rëndësishme të Luftës si Hajdar Dushi, Xhevdet Doda, Rifat Berisha, Qamil Brovina, Zekeria Rexha etj, të cilët për shkak të qëndrimit pro Konferencës, me pas u goditën dhe u eliminuan edhe fizikisht.

Përmasat e Konferencës i tregojnë edhe përshëndetjet që janë bërë punimeve te sajë edhe nga komandantët e batalioneve “Bajram Curri” e “Perlat Rexhepi” respektivisht Shaban Haxhia dhe Sadik Bekteshi.

BASHKIMI ME KOSOVËN

Mbajtja e Konferencës së Bujanit dhe Rezolucioni i saj, që sanksionoi ngritjen e strukturave që do të çonin në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, sapo e mori vesh e dënoi Rezolutën e Bujanit dhe në unision për dënimin e saj ishte edhe Enver Hoxha. Rezolucioni historik i Konferencës nuk pati jetëgjatësi sepse atë sapo e morën vesh në shtabin jugosllav të partisë e të luftës, e dënuan si formë arkaike dhe përfundimisht e denoncuan dhe e shfuqizuan në Konferencën e Prizerenit në gushtin e vitit 1945, ku votuesit serbë e malazezë ishin organizuar jo pa qëllim shumicë dhe ajo Konferenca famëkeqe e Prizerenit vendosi vendimin më ogurzi që Kosova të mbetej nën Serbi ashtu siç kishte qenë në Jugosllavinë e Versajës. Pavarësisht kohës së gjatë dhe devizës se si shkoi e ardhmja e Konferencës së Bujanit, pavarësisht se si e trajtuan dhe e dënuan andej serbosllavët dhe këtej stalinistët, ajo siç zbulohet nga studiuesi Mark Palnikaj, jo pak por 5 herë ka qenë evidente në 50 vjet komunizëm në Senatin amerikan dhe disa here prezente me Rezolutën e saj në parlamentet e Anglisë, Gjermanisë dhe Italisë. Edhe pse ka ndodhur kështu, ngjarjet e pas Bujanit treguan se ajo ishte goditja e dytë dhe më fatale që i u dha luftës mbarë nacionale shqiptare nga sllavo komunistët.

SI KONKLUZION:

Siç deshën dy jugosllavët, Enver Hoxha fillimisht varrosi çështjen e Kosovës e më pas me Miladinin e Dushanin sunduan Pezën, anuluan Mukjen e prishën Bujanin. Peza, në ndikimin e nacionalistëve “vendosi” edhe për pushtetin në Kosovë por që “dy jugosllavët” nuk lanë të bëhej. Mukja, ku u deklarua lufta për Shqipërinë që u silurua sapo e mori vesh vendimin Miladini në Labinot, ia hodhi letrat në fytyrë Enver Hoxhës.19) Bujani, ku u vu në evidencë Kosova dhe zgjidhja e çështjes së saj, bashkimi me Shqipërinë, Tito dhe beniamini i tij Enver Hoxha e dënuan urgjentisht e unanimisht atë Konferencë. Pra, kështu përfunduan tri ngjarjet madhore gjatë luftës, me të cilat komunistët i bënë varrin çështjes etnike shqiptare. Peza rezultoi një mashtrim, Mukja ishte një dënim i të ardhmes së Shqipërisë dhe Bujani një goditje përfundimtare ndaj çështjes tonë kombëtare.

Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes



Lexoni të gjitha në Bota Sot