Kapiteni dhe portieri i Barcelonës, Marc-Andre Ter Stegen, ka deklaruar se marrëdhënia e tij me klubin është e mirë, pavarësisht raportimeve të shumta që pretendojnë të kundërtën.
Portieri gjerman pritet të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale në shpinë të martën, për të trajtuar një dhimbje kronike që e ka shqetësuar prej kohësh.
Ter Stegen është nisur drejt Bordeaux, Francë, ku do të operohet nga Dr. Amelie Leglise, e njëjta mjeke që e ka trajtuar më parë.
Sipas mediave spanjolle, Barcelona është e irrituar me mënyrën si u trajtua situata nga ana e portierit. Ter Stegen ka njoftuar vetë publikisht se do të mungojë për tre muaj, ndërkohë që ekspertët mjekësorë kanë sugjeruar se rikuperimi mund të zgjasë katër muaj ose më shumë.
Nëse kjo e fundit ndodh, rregullorja e La Ligas do t’i lejonte Barcelonës të përdorë 80 për qind të pagës së tij për të regjistruar lojtarë të rinj, por njoftimi publik i Ter Stegen mund ta komplikojë këtë proces.
I pyetur nga gazeta Sport në aeroportin El Prat, Ter Stegen tha se raporti me klubin është i mirë.
“Marrëdhënia me klubin është e mirë, gjithmonë e mirë, e paprekur”, tha ai, duke ironizuar tutje me gjendjen e tij fizike.
“Nëse duhet të bësh operacion, do të thotë që diçka nuk është në rregull, apo jo?”, vazhdoi gjermani.
Megjithatë, Diario AS raporton të kundërtën, duke theksuar se Ter Stegen ka udhëtuar i vetëm në Francë dhe ka refuzuar të shoqërohet nga stafi mjekësor i Barcelonës.
Ata gjithashtu theksojnë se klubet nuk lejohen të bëjnë publike informacione mjekësore për lojtarët pa lejen e tyre, çka mund të pengojë Barcelonën të sqarojë publikisht sa do të zgjasë mungesa e Ter Stegen, duke ua vështirësuar mundësinë për të kundërshtuar deklaratat e tij.
Megjithatë, klubi mund të dorëzojë një raport mjekësor në La Liga, e cila do të shqyrtojë dokumentacionin dhe do të vendosë nëse Barcelona mund të aktivizojë rregullin e zëvendësimit për shkak dëmtimi afatgjatë.