Radhë kilometrike kamionësh në kufirin Shqipëri-Kosovë

- Bota Sot

Radhë kilometrike kamionësh në kufirin Shqipëri-Kosovë

Një radhë e gjatë kilometrike e kamionëve të tonazhit të rëndë është krijuar pasditen e së hënës në aksin Bardhoc–Vermicë, në rrugën Morinë–Kukës, me drejtim nga Shqipëria drejt Kosovës.

Kamionët, të parkuar në dy rreshta përgjatë rrugës, po presin të hyjnë në Kosovë përmes pikës doganore të Vermicës.

Shkak i kësaj situate është masa e vendosur nga Ministria e Mjedisit dhe Transportit e Kosovës, e cila prej orës 11:00 deri në 17:00 ndaloi qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë në autostrada dhe rrugë rajonale, për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, shkruan A2 CNN.

Edhe pse orari i ndalimit ka përfunduar, kamionët vijojnë të presin për të hyrë në Kosovë, kjo për shkak të pamundësisë së autoriteteve doganore të Kosovës për të përballuar fluksin dhe për të përfunduar në kohë procedurat doganore.

Radha e kamionëve nis që nga fshati Bardhoc dhe vijon deri te hyrja e doganës së Vermicës. Sot ishte dita e fundit e kësaj mase, e cila ka qenë në fuqi gjatë 15 ditëve të fundit të muajit korrik.



Lexoni të gjitha në Bota Sot