Club Brugge thuhet se ka refuzuar ofertën më të fundit të Milanit për Ardon Jasharin.
Sipas ekspertit belg të merkatos, Sacha Tavolieri, skuadra belge ka hedhur poshtë propozimin e fundit të Milanit për mesfushorin zviceran Jashari.
Drejtori i Milanit, Igli Tare, deklaroi të dielën se klubi italian ka dërguar ofertën e fundit dhe nuk do të bëjë një propozim tjetër për të transferuar 22-vjeçarin.
Sipas raporteve, oferta e Milanit ishte në vlerën 33.5 milionë euro plus bonuse, por sërish mbeti nën kërkesën e 40 milionë eurove të Club Brugge.
Matteo Moretto shton se drejtuesit e Club Brugge nuk i kanë pëlqyer deklaratat publike të Tares lidhur me ofertën për Jasharin, veçanërisht pasi ato u bënë vetëm pak orë para ndeshjes së tyre të parë të sezonit në kampionatin belg.
Jashari nuk ka qenë i përfshirë në dy ndeshjet e fundit zyrtare të Club Brugge kundër Union Saint-Gilloise dhe Genk.
Mesfushori i kombëtares së Zvicrës tashmë ka arritur marrëveshje personale me Milanin, i cili ka bërë ndryshime të mëdha në mesfushë këtë verë duke shitur Tijjani Reijnders dhe duke afruar Samuele Ricci dhe Luka Modric.