Manchester United ka ngushtuar kërkimin për një sulmues të ri në dy emra kryesorë, Ollie Watkins dhe Benjamin Sesko. Kështu raporton gazetari Laurie Whitwell nga “The Athletic”.
Sipas Whitwell, klubi nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, por është në kontakt me të dy lojtarët për të kuptuar kostot e mundshme të secilës marrëveshje.
“United është në fazën e vlerësimit,” shkruan ai, duke theksuar se bisedimet mund të zgjasin, pasi Aston Villa dhe RB Leipzig kërkojnë shifra të larta për lojtarët e tyre.
Klubi anglez përballet edhe me kufizime financiare. Për të realizuar një transferim të madh, “Djajtë e Kuq” duhet të shesin disa lojtarë për të gjeneruar fonde.
Në mesin e lojtarëve që mund të sakrifikohen janë Alejandro Garnacho dhe Antony, të cilët janë në treg dhe mund të sillnin të ardhura të konsiderueshme nëse largohen.
Gjithashtu, largimi i Jadon Sancho do të ndihmonte në shtimin e buxhetit, pasi lojtari nuk bën më pjesë në planet afatgjata të klubit.
Manchester United mbetet i vendosur për të forcuar repartin ofensivë, por zgjidhja përfundimtare do të varet nga kostoja, negociatat dhe të ardhurat nga shitjet gjatë verës.