Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Ademola Lookman, objektivi kryesor i Interit në këtë merkato verore.
Sipas raportimeve nga ambientet pranë klubit, presidenti i Interit Beppe Marotta pritet të takohet në ambientet e Lega Calcio me Luca Percassin, për të paraqitur ofertën më të fundit për sulmuesin e Atalantës.
Oferta e Interit është 43 milionë euro, me mundësinë që shuma të rritet me 2 milionë euro bonuse, por mbetet ende nën kërkesën e 50 milionë eurove që klubi bergamask ka vendosur si çmim për largimin e Lookman.
Megjithatë, ekziston një marrëveshje e heshtur mes Atalantës dhe vetë lojtarit për ta lehtësuar largimin në rastin e një oferte të rëndësishme.
Pavarësisht kësaj, Atalanta nuk ka ndërmend të bëjë ulje, veçanërisht në një verë ku ka arritur tashmë të përfitojë nga shitjet e Reteguit dhe nuk ka presion për të shitur.
Nëse gjatë këtyre ditëve nuk arrihet një marrëveshje, Interi do të kalojë në planin B dhe do të kërkojë një tjetër profil për të përforcuar ofensivën e Cristian Chivut.
Nga ana tjetër, Atalanta duket e përgatitur për një largim të mundshëm të Lookman dhe ka shënjestruar Federico Chiesën si pasuesin e tij, edhe pse sulmuesi i Juventusit është gjithashtu nën radarët e Napolit. Takimi mes Marottës dhe Percassit nuk është përfundimtar, por do të jetë thelbësor për të kuptuar nëse ka hapësirë për një marrëveshje.