Saga e Nico Williams te Barcelona, pas takimeve mes agjentit të tij dhe drejtuesve blaugrana dhe ndjesisë se marrëveshja ishte drejt përfundimit të lumtur, në të vërtetë ka zbuluar vendimin e marrë nga sulmuesi i ri spanjoll i lindur në vitin 2002. Ai ka rinovuar kontratën me Athletic Bilbao deri në vitin 2035.
Një sinjal i qartë se sa shumë e vlerësonte ai lidhjen afatgjatë me klubin bask.
Pikërisht për gjithçka që ka përjetuar Nico këtë verë, ka folur sot në konferencë për shtyp vëllai i tij i madh dhe kapiteni i Athletic, Iñaki Williams: “Në nivel familjar ishte paksa e komplikuar, sepse u fol shumë për vëllain tim dhe shumë nga ato që u thanë për të nuk ishin të vërteta.
E vetmja gjë që ai bëri ishte të qëndronte i heshtur. Të gjithë kanë të drejtë të reflektojnë për të ardhmen e tyre. Gjatë shumë momenteve këtë verë, njerëzit nuk ishin të drejtë me vëllain tim. Kur një person shkon në restorant dhe i sjellin menunë, ndonjëherë i duhen minuta për të zgjedhur. Vendimi i vëllait tim nuk ishte i lehtë”.
Më tej ai shtoi: “Pjekuria e Nico ka qenë e jashtëzakonshme, kishte përpara shumë mundësi dhe zgjodhi Athletic, një klub që po bën hapa gjigantë dhe që sot ka një nga skuadrat më të mira që kur unë jam në ekipin e parë, pra prej 12 vitesh”.
Pa harruar se në tavolinë kishte mjaft oferta për djaloshin e lindur më 2002: “Nico kishte mundësi të zgjidhte, sepse kishte shumë oferta. Shumë klube ishin të interesuara për të, sepse është një lojtar i nivelit shumë të lartë dhe me një klauzolë që mund të përballohej. Ishte një rast i artë për klubet e mëdha”.