Dinamo ka finalizuar dy prej marrëveshjeve më të rëndësishme të merkatos, duke përfituar shifra rekord nga shitja e dy yjeve të skuadrës: Baton Zabërgja dhe Itodo Mandela, të cilët do t’i bashkohen ekipit ukrainas Metalist 1925, që sapo është ngjitur në elitën e futbollit të vendit.
Pas negociatave të suksesshme mes palëve, klubi nga Kharkivi ka siguruar dy përforcime të nivelit të lartë, ndërkohë që Dinamo arkëton shuma të konsiderueshme.
Detajet e marrëveshjeve
Baton Zabërgja do të transferohet për 800 mijë euro, ndërsa lojtari do të nënshkruajë një kontratë 3-vjeçare me të drejtë rinovimi për një vit tjetër. Mesfushori dardan do të përfitojë 350 mijë euro në sezon, për një total që shkon në 1.4 milionë euro.
Itodo Mandela, sulmuesi nigerian që ka spikatur me fanellën e Dinamos, është blerë për 1.1 milionë euro, por vetëm 550 mijë euro do t’i kalojnë Dinamos, pasi Luz i Vogël zotëronte 50% të kartonit të lojtarit dhe përfiton gjysmën e shumës.
Një kontribut i fundit në Europë
Të dy futbollistët kanë kaluar me sukses testet mjekësore, por do të qëndrojnë edhe për pak kohë te Dinamo. Ata pritet të jenë të gatshëm për ndeshjen e kthimit të turit të dytë në UEFA Conference League kundër Atletik D’Eskaldes, pasi klubi kryeqytetas dëshiron të sigurojë kualifikimin për në fazën e tretë.
Me këto shitje, Dinamo jo vetëm që përfiton financiarisht, por konfirmon edhe reputacionin në rritje për zhvillimin dhe eksportimin e talenteve të rinj.