Gonçalo Ramos është shfaqur si një emër i ri në orbitën e Milanit për repartin ofensiv në këtë merkato verore. Sipas asaj që raporton Gazzetta.it, sulmuesi portugez është në listën e dëshirave të kuqezinjve, edhe pse transferimi nuk do të jetë i lehtë.
PSG nuk ka ndërmend ta shesë lirë lojtarin, pasi e bleu nga Benfica për 65 milionë euro. Edhe pse Ramos ka qenë titullar në vetëm 12 ndeshje në Ligue 1 dhe një në Champions League gjatë sezonit të kaluar, ai ka arritur të realizojë 19 gola, një tregues i qartë i potencialit të tij.
Për momentin, Milan nuk mund të përballojë blerjen e kartonit, por është duke shqyrtuar mundësinë e një huazimi, një operacion që mund të bëhet më i arritshëm gjatë muajit gusht.
Një faktor që mund të ndihmojë është Jorge Mendes, agjenti i njohur që ka marrëdhënie të mira me klubin kuqezi. Ai së fundmi ka ndërmjetësuar edhe për transferimin e Estupinan, dhe pavarësisht disa mosmarrëveshjeve të së kaluarës me Conceicaon dhe Joao Felix, raportet mbeten pozitive.
Ndërkohë, Igli Tare, i përfshirë në drejtimin sportiv të Milanit, nuk ka nxitim, por është i vetëdijshëm për nevojën për të sjellë një “numër 9” të vërtetë në ekip. Dushan Vlahoviq vazhdon të mbetet zgjedhja e parë në mendjen e trajnerit Allegri, por negociatat janë të ndërlikuara.
Pengesa kryesore është paga e lartë që serbi përfiton te Juventusi, plot 12 milionë euro në vit, një shifër që ai nuk ka ndërmend ta ulë për momentin.