Luis Diaz nuk po trajtohet si blerja perfekte te Bayern. Për tifozët dhe mediat gjermane (jo të gjitha), duket sikur Bayern e ka tepruar me 75 mln eurot e paguara për yllin e Liverpool.
Po cilat janë arsyet pse Bayern po e transferon kolumbianin? Janë tri kryesore:
Së pari, Bayern duhet të shpëtojë fytyrën. Ka rënie të thelluar të imazhit, sepse nuk është një opsion tërheqës për yjet e klasit botëror. Florian Wirtz dhe Nico Williams e refuzuan klubin bavarez. Kjo tregon se Bayern po kalon një epokë të vështirë. Duket sikur nuk konsiderohet mjaftueshëm i madh.
Së dyti, krahu i majtë i sulmit kishte nevojë urgjente për një lojtar me eksperiencë. Coman dëmtohet shpesh dhe Bayern duhej të vepronte shpejt. Me largimin e Muller, Musiala nuk mund të ishte një kompensues duke luajtur në të majtë. Roli i tij është ai në qendër. Ndërkohë, dëmtimi i këtij të fundit e bëri edhe më urgjente blerjen e Diaz.
Së treti, cilësia. Kolumbiani është një nga 10 anësorët më të mirë në botë. Finalizimi nuk është pika e tij e fortë, por aftësitë dribluese dhe defensive i ka të shkëlqyera. Bayern ka bërë një goditje cilësore, por ndoshta tepër të shtrenjtë.
Nëse Luis Diaz do të kushtonte “vetëm” 55 apo 60 mln euro, nuk do të kishte kritika.