Erion Selmani më i motivuar se kurrë: Maratona kërkon tjetër qasje

- Bota Sot

Erion Selmani më i motivuar se kurrë: Maratona kërkon tjetër qasje

Noti është prej sporteve më specifike që kërkon kushte speciale.

Prej talenteve që premton shumë dhe po tregon paraqitje të mira padyshim është edhe Erion Selmani, anëtar i klubit të notit Kastrioti nga Ferizaj.

Bie në sy gara e fundit përkatësisht gara 5 kilometra ku Erion Selmani shkëlqeu duke përfunduar në pozitën e tretë në nivel të Kosovës dhe në të katërtin në nivel ndërkombëtar për kategorinë open, me kohë të kaluar për 01:16:21 orë. 

Cilat janë disiplina që merr pjesë notari 17-vjeçar? 

Në 50 metra - stil i lirë; 100 metra- stil i lirë, 200 metra – stil i lirë, 400 metra; 800 metra, 1.500 metra stil i lirë, si dhe 50 metra  flutur (delfin); 100 m.- 200 m. dhe 200 metra mirë.

Erioni tha se për sukseset që po shënon merita kanë trajnerët.

Erioni është djali i Agronit, trajner i mirënjohur i futbollit. 

“I falënderoj trajnerët që me ndihmuan dhe që me ndihmojnë: Faton Asllani, Astrit Haliti, Ardian Hamiti, Rron Thaqi dhe Atdhe Haxhimusa”, thotë notari Selmani. 

“Bota sot”:  Sa është vështirë të garosh në maratonë për dallim nga disiplinat përkatëse gjatë kampioantit?

Erion Selmani: Disiplinat tjera të notit janë disiplina kërkuese dhe atraktive të cilat nuk i përjashtoj as unë, por maratona kërkon tjetër qasje, tjetër përgatitje dhe motivacion.

“Bota sot”: Si e vlerësoni rezultatin e fundit, vendi i tretë në 5 kilometra?

Erion Selmani: Kam punuar për ezultat më të mire por nuk është se nuk jam i kënaqur edhe me këtë rezultat. Në vazhdim do të përmirësohem me shumë.

“Bota sot”: Cilat janë synimet në muajit në vazhdim, pra në garat e mbetura?

Erion Selmani: Kosova ka notar të mirë dhe konkurrencë të fortë, do të punoj dhe shpresoj të më jepet mundësia në një garë tjetër jashtë vendit në distancë 5000 metra por gradualisht mendoj edhe në 10000 metra.

“Bota sot”: Sa jeni i kenaqur me kushtet?

Erion Selmani: Realisht për sportin e notit, shteti i Kosoves dhe qyteti i Ferizaj nuk ofrojnë shumë, fal përkushtimit të trajnerëve dhe drejtuesve të klubit sa do kudo po ia dalim por me kushte më të mira do të kishim rezultate më të mira. 

“Bota sot”: Çfarë iu duhet më shumë si notar?

Erion Selmani: Mungesa e pishinave 50 metra dhe 25 metra, pajisjet me kosto të lart e bëjnë më të rëndë punën e një notari e cila na detyron të bëjmë punë dhe ushtrime improvizuese dhe sidomos neve në Ferizaj ku detyrohemi të bëjmë kilometra më të shumta vetëm për një seancë stërvitore në stinën e vjeshtës dhe dimrit.

“Bota sot”: A është ky edicioni më i mirë se ai vitit paraprak?

Erion Selmani: Po, kjo është më e mirë dhe shpresojmë të jetë ende më e mirë.

“Bota sot”: Cilën kohë të disiplinës synoni te përmirësoni në kampionat dhe Kupën e Kosovës?

Erion Selmani: Synoj t’i përmirësoj kohët e mia të cilat në bazë të mundësive që i kam, janë jo reale dhe ato do të jenë rezultate të mira në të ardhmen.

“Bota sot”: A janë prindërit motivuesit më të mëdhenj?

Erion Selmani: Pa përkrahjen e prindërve gjithçka do të ishte më e vështirë. Po sigurisht që janë.

“Bota sot”: Si ndodhi që ju të merreni me not kur dihet se babai i juaj Agroni ka qenë trajner i futbollit, axha juaj Vetoni gjyqtar i furbollit dhe i hendbollit?

Erion Selmani: Jam adhurues i të gjitha sporteve por në sportin e notit e kam gjet veten.

“Bota sot”: Cila garë është më e vështira deri në fund të edicionit të sivjetshëm?

Erion Selmani: Sipas kalendarit të FNK-së, na presin gara të vështira në mesin e tyre janë gara vendore, gara rajonale por edhe gara rajonale të cilat janë mjaft konkurruese dhe kush do që e përfaqëson Kosovën në ato gara qoftë edhe unë nuk do ta kemi lehtë por do ta bëjmë më të mirën.



Lexoni të gjitha në Bota Sot