Zekirija Ramadani Lojtarët dhanë gjithçka

- Bota Sot

Zekirija Ramadani Lojtarët dhanë gjithçka

Pas eliminimit të FC Dritës nga UEFA Champions League nga skuadra e fuqishme daneze FC Copenhagen, trajneri Zekirija Ramadani ka vlerësuar lart përkushtimin dhe disiplinën e futbollistëve të tij në një përballje shumë të vështirë.

Ndonëse gjilanasit u eliminuan me rezultat të përgjithshëm 0:3, Ramadani u shpreh krenar për mënyrën se si skuadra e tij e përballoi një ndeshje ku për më shumë se një orë luajtën me një lojtar më pak.

“Me këto skuadra është shumë e vështirë edhe kur je me numër të barabartë, e lëre më me një lojtar më pak. Jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve, sepse dhanë gjithçka që kishin në fushë,” – u shpreh Ramadani pas ndeshjes.

Trajneri shtoi se kartoni i kuq për Liridon Balajn, i ardhur në minutën e 27-të, ndikoi fuqishëm në rrjedhën e lojës dhe ishte një prej momenteve vendimtare.

“Takimin e filluam mirë, me energji pozitive dhe me dëshirën për të përmbysur rezultatin nga ndeshja e parë. Por ai karton i kuq, që është pjesë e futbollit, ndryshoi gjithçka.

Kjo është një pasojë e mungesës së përvojës, diçka që vetëm ndeshjet e mëdha mund të ta japin”, shtoi trajneri.

Ramadani gjithashtu theksoi se pavarësisht humbjes, skuadra nuk u dorëzua dhe tregoi karakter të fortë në fushë, duke mos pësuar më shumë gola dhe duke krijuar edhe disa raste për shënim, përfshirë atë të Veton Tushës në pjesën e dytë.

“Është edhe meritë e lojtarëve që nuk pësuam ndonjë debakël, por edhe kundërshtari ishte i kënaqur me rezultatin dhe nuk rrezikoi shumë. Kemi një grup të mirë dhe kjo përvojë do t’i ndihmojë shumë djemtë për të ecur përpara”, përfundoi ai.

Pas eliminimit nga kualifikueset e Ligës së Kampionëve, FC Drita do ta vazhdojë aventurën evropiane në UEFA Europa League, ku në rrethin e tretë do të përballet me humbësin e çiftit FCSB – Shkëndija e Tetovës. Kjo do të jetë një mundësi tjetër për skuadrën nga Gjilani që të tregojë veten në arenën europiane.



Lexoni të gjitha në Bota Sot