Në prag të ndeshjes miqësore ndaj Seulit, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, doli në konferencë për shtyp për të folur mbi temat më të përfolura që lidhen me ekipin blaugrana. Ai u ndal veçanërisht te zërat për një largim të mundshëm të Ronald Araujo, si dhe te situata e ndërlikuar e Marc-André ter Stegen dhe shiriti i kapitenit.
I pyetur nga gazetarët për konfirmimin e qëndrimit të mbrojtësit uruguajan te Barcelona, Flick tha: “Ka gjithmonë shumë zëra për Araújo, por nuk kam marrë asnjë lajm apo sinjal se ai dëshiron të largohet. Kam një skuadër të madhe, me shumë cilësi. E kemi të mbuluar çdo pozicion dhe në disa raste kemi edhe nga tre lojtarë.
Sigurisht që nuk është e lehtë për t’u menaxhuar, por jam i kënaqur”.
Më tej gjermani shtoi: “Më habit fakti që dalin këto zëra për Ronald. Jam shumë i kënaqur me skuadrën që kam në dispozicion”.
Më pas, rasti i Marc-André ter Stegen. A do të mbetet kapiten? Sidomos pas zërave të shumtë për thyerje të plotë të raportit me klubin, pas afrimit të Joan Garcia në portë: “Do të jetë skuadra ajo që do t’i vendosë kapitenët, siç ka bërë gjithmonë. Do të vendosim dy javë para nisjes së sezonit”.
Në fund, një koment për ardhjen e Marcus Rashford dhe përforcimin e kërkuar në sulm: “Marcus është një lojtar i shkëlqyer, e ndjek prej shumë vitesh, që kur nisi karrierën te Manchester United. Ka shumë cilësi dhe shpresojmë t’i tregojë edhe këtu me ne”.