Prizren: Kallëzim penal për vandalizimin e shtatores së Skënderbeut

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: Kallëzim penal për vandalizimin e shtatores së Skënderbeut

Prizren, 30 korrik 2025 – Shoqata “Lekë Dukagjini” – Shpenadi, njoftohet se ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, pas dëmtimit dhe përdhosjes së shtatores së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Sipas kallëzimit, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës mes 26 dhe 27 korrikut, kur persona të paidentifikuar kanë spërkatur me ngjyrë përkrenaren dhe shpatën e përmendores. Ky akt është cilësuar nga Shoqata si një akt vandalizmi i rëndë dhe si sulm i drejtpërdrejtë ndaj ndjenjave kombëtare dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.

Vitor Spaqi, sekretar dhe përfaqësues i autorizuar i Shoqatës “Lekë Dukagjini”, ka theksuar se ky veprim përbën shkelje të nenit 333 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që parasheh dënime për dëmtim apo shkatërrim të pronës, dhe njëkohësisht mund të trajtohet edhe në kontekstin e ligjeve që mbrojnë trashëgiminë historike dhe kulturore të vendit.

Shoqata ka kërkuar që organet kompetente të veprojnë pa vonesë: të nisin hetime për identifikimin e autorëve, të ndërmarrin masa ligjore ndaj tyre dhe të trajtojnë këtë rast me seriozitet dhe ndjeshmëri të veçantë, duke pasur parasysh simbolikën e rëndësishme që mbart figura e Skënderbeut për historinë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare lidhur me këtë incident.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit