Vogëlushët e Istogu03, kampionë të Dana Cup në Danimarkë

- Bota Sot

Vogëlushët e Istogu03, kampionë të Dana Cup në Danimarkë

Ekipi futbollistik i të rinjve nga Istogu, Istogu03, është shpallur kampion i Dana Cup që u mbajt në Danimarkë.

Ky turne konsiderohet ndër më masivët për grupmosha në futboll, ku marrin pjesë ekipe nga grupmoshat U10, U11, U12, U13, U14, U15, U16 dhe U18-19.

Këtë vit ishte edicioni i 42-të radhazi ku morën pjesë 997 ekipe nga 95 shtete të botës nga të gjitha kontinentet.

Aty u paraqit edhe Istogu 03 me dy ekipe, U13 dhe U15, dhe ishte akademia e vetme qe përfaqësoi Kosovën.

Derisa gjenerata U15 u ndal në 1/8 e finaleve, edhe pse ishte fituese e Grupit dhe e përfundoi turneun me 5 fitore dhe një humbje, ishte gjenerata U13 ajo që u shpall kampione.

Istogu03 U13 fitoi Grupin fillimisht, i cili përbëhej nga 3 ekipe – dy norvegjeze dhe një gjermane, ndërsa në 1/16 e finaleve u ndeshën me ekipin norvegjez HamKam të cilin e mposhten me rezultat 3:0.

Në 1/8 e finaleve, vogëlushët e Istogu 03 mposhtën prapë një ekip tjetër norvegjez, Søreide, me rezultat 1:0, ndërsa në çerekfinale, kosovarët e vegjël u përballën me një ekip nga Kili, Academia Sport Madrid  të cilin e mposhtën po me rezultat 1:0.

Në gjysmëfinale, Istogu 03 U13 u ndesh me një super akademi angleze, Bath Schools FA, por që edhe këta patën fatin si pararendësit e tyre – u mposhtën me rezultat 2:1.

Kurse finalja e madhe përballi istogasit e vegjël me kundërshtarët aziatikë nga Hong Kongu (Akademia e Tottenham Hotspur në Hong Kong), të cilët arritën t’i mposhtnin në penallti, me rezultat 3:2.

Kështu, Istogu03 U13 përfundoi këtë turne me titull Kampioni, me 8 ndeshje dhe 8 fitore.

Vogëlushët kosovarë, gjatë këtij rrugëtimi shënuan 20 gola, kurse pranuan vetëm 3, dhe nuk regjistruan asnjë karton të kuq.

Lojtarët me të dalluar:

Alban Ferataj – sulmues: 12 gola në 8 ndeshje

Brahim Pepaj – sulmues: 5 gola në 8 ndeshje

Arbnor Hajdinaj – mesfushor kreativ: 1 gol e 7 asistime në 8 ndeshje

Ajan Dekaj – portier: në 8 ndeshje, 5 ‘clean sheet’ (porta të paprekura).



Lexoni të gjitha në Bota Sot