Barça e bllokoi të mos shkonte te Real Madridi

- Bota Sot

Barça e bllokoi të mos shkonte te Real Madridi

Gabriel Santiago Fernández (i njohur si “Baby”), shok dhe mik i Lionel Messit në “La Masía” të Barcelonës, rrëfeu përvojën e tij si një nga golashënuesit më të mëdhenj të akademisë blaugrana dhe analizoi arsyet pse nuk arriti në elitën e futbollit. “Do të jepja gjithë dorën për t’u kthyer pas. Jam i bindur se me njohuritë që kam sot, do t’ia kisha arritur”, – rrëfeu sulmuesi nga Sant Adriá de Besós.

“Baby”, i lindur më 7 mars 1986, pranoi: “Më dhanë shumë mundësi.

Në jetë thuhet që të kalon një tren, mua më kaluan 10 ose 12 dhe nuk u ngjita në asnjërin. Nuk pendohem. Jeta është e ndërlikuar dhe futbolli është shumë i vështirë, por falë kësaj jam me gruan time dhe kam tre fëmijë. Barcelona shihte potencial të madh tek unë. Është shumë e vështirë të jesh për 8 apo 9 vite rresht sulmuesi titullar dhe të vazhdojnë të të respektojnë e aktivizojnë… Te Barça, fëmijët hyjnë e dalin vazhdimisht, por për 8 vite isha referenca dhe sulmuesi që shënoi më shumë gola.

Drejtuesit shihnin që kisha shumë potencial, por nuk isha gjithmonë serioz dhe i përgjegjshëm. Të jem i sinqertë, ishte brezi i ‘Baby’, jo i Messit. Unë, për shembull, në turnetë e ‘Brunete’ dhe ‘Canal +’, kam qenë golashënuesi dhe lojtari më i mirë.

Dy vite rresht. Messi nuk ishte aty, erdhi vitin tjetër. Kur e pashë të vinte…, nga ata që ishin në pozitën time, askush nuk më konkurronte dot. Unë gjithmonë isha ‘Pichichi’ dhe luaja çdo ndeshje, por kur erdhi Messi, që në stërvitjen e parë thashë ‘ufff’. Ai luante me numrin 10 dhe unë me 9, kështu që nuk ia zumë vendin njëri-tjetrit drejtpërdrejt.

U martova të enjten dhe Messi nuk mundi të vinte. Unë dhe Leo kemi qenë gjithmonë bashkë në ‘La Masía’, në dhomën e zhveshjes, në dhomë, në autobus. Ishim gjithmonë të dy. E telefonova edhe atë për t’i thënë që do të martohesha të enjten, por Barça kishte ndeshje të mërkurën, jashtë fushe, në Kupat e Europës. U kthyen të enjten vonë, ndaj Messi nuk mundi të vinte në dasmën time.

U martova të enjten dhe të shtunën shkova për muaj mjalti në Santa Susana, afër fushës së Premia, kundër të cilës luaja. Messi erdhi të më shihte dhe pastaj shkuam të hanim bashkë. Fituam 1-0, me golin tim. Ai që na bashkonte ishte Horacio, menaxheri ynë. Kur ai u largua, u larguam edhe ne nga njëri-tjetri dhe ka kohë që nuk e kam parë më. Me Horacio isha deri në kohën e pandemisë.

Unë u largova nga Barça. Isha duke luajtur çdo ndeshje, por një moment ndryshuan drejtuesit. Ne e dimë që në futboll ka ‘padrino’, ndaj filloi të luajë Oriol Riera. Nuk e kuptoja. Më fusnin në lojë vetëm kur ndeshja ishte e vështirë. Në ato të lehta, nuk më aktivizonin. Është e vërtetë që Messi ishte pas tij dhe i jepte pasimet, që Oriol Riera ta shtynte topin në rrjetë.

Nuk e kuptova. Mendoja se isha më i miri dhe doja të largohesha. Shkova të kërkoja ndërprerjen e kontratës dhe më ofruan një kontratë edhe për 8 vite të tjera, por thashë jo. Ma ndërprenë kontratën me detyrim, por më ndaluan që të shkoja te Real Madridi ose Atlético Madridi. Mund të firmosja me çdo klub tjetër, por jo me këto të dy”.

Karriera e “Baby”, pas largimit nga Barcelona
“U përfolën emra si Real Madrid, Atlético apo Villarreal, por nuk u bë. Shkova te Damm për 6 muaj dhe 17 vjeç firmosa me Figueres, ku ishte Tito Vilanova, në Segunda B. Qëndrova dy vite dhe më pas te Gavá, në Tercera. Nga Gavá shkova te Córdoba për një vit, pastaj në Almería, ku firmosa për tri vite. Donin të rinovoja, por firmosa me Mallorca.

Me Mallorca bëra një kontratë të mirë, por e firmosën përfaqësuesit e mi dhe jo unë, me idenë që do ta firmosja më vonë. Një javë para se të nënshkruaja, dola të luaj me kushërinjtë dhe theva tibinë. Ngaqë nuk kisha firmosur vetë, humba gjithçka.

Qëndrova pa luajtur për një vit e gjysmë dhe rashë në depresion. Nuk doja të luaja, më dhembte këmba, por pastaj firmosa me Formentera, pasi u rikuperova. Qëndrova një vit dhe më pas vendosa të kthehem në Katalonjë dhe të luaj aty”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot