Padyshim ka qenë futbollisti më i rëndësishëm jo vetëm i Vllaznisë, por gjithë kampionatit shqiptar në dy sezonet e fundit.
Fjala është për Bekim Balajn, i cili, që prej kthimit të tij në Superiore dhe konkretisht te kuqeblutë, ka arritur të fitojë 2 herë çmimin e “Këpucës së Artë”, si golashënuesi më i mirë i kampionatit dhe një herë çmimin “Topi i Artë”, duke u vlerësuar si lojtari më i mirë i elitës së futbollit tonë.
Nisur nga këto vlera që mbart ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, ai shihet si lideri absolut i Vllaznisë, për të cilin skuadra ka më shumë nevojë se asnjëherë tjetër në ndeshjen e radhës ndaj Vikingurit.
Goli ka munguar për 34- vjeçarin në 3 sfidat e para zyrtare të sezonit në Conference League dhe te 9 herë kampionët e vendit presin “zhbllokimin” e shtatlartit në Islandë, në një ndeshje që vlen shumëçka.
Pavarësisht mungesës së golit, Balaj ka ditur të imponohet në fushën e lojës, falë cilësive dhe eksperiencës së tij. Dhe nga kjo eksperiencë që ai mban, te Vllaznia duan që ai ta udhëheqë skuadrën drejt një kualifikimi historik. E po ashtu, si kapiten i skuadrës dhe një futbollist që është mësuar me presionin e ndeshjeve të rëndësishme gjatë karrierës së tij, për Balajn përpara është përpara një mision i vështirë, por ndoshta një nga më të rëndësishmit në karrierë.