Apple Pay aktivizohet në Kosovë, Ambasada e SHBA-së: Krenar që mbështetem këtë hap të rëndësishëm

- Bota Sot

Apple Pay aktivizohet në Kosovë, Ambasada e SHBA-së: Krenar që mbështetem këtë hap të rëndësishëm

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përshëndetur aktivizimin e Apple Pay, në Kosovë.

Përmes një postimi, Ambasada amerikane thotë se janë krenarë që kanë mbështetur këtë hap të rëndësishëm për ekonominë dixhitale të vendit.

“Lajm i madh për ekonominë dixhitale të Kosovës: Apple Pay tani është zyrtarisht i disponueshëm! Ambasada e SHBA-së është krenare që ka mbështetur këtë hap të rëndësishëm, i cili pasqyron rolin në rritje të kompanive amerikane që investojnë në të ardhmen e Kosovës.

Ky moment historik përparon qëllimet e Kosovës për rritje ekonomike, përfshirje financiare dhe modernizim dixhital, duke ndihmuar që vendi të bëhet edhe më tërheqës për investimet dhe inovacionin amerikan”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Të martën, Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se shërbimi i njohur ndërkombëtar i pagesave, Apple Pay, është bërë zyrtarisht i disponueshëm edhe në vendin tonë.

“Falë kësaj risie, bankat dhe institucionet financiare në vend mund të lidhin kartelat e tyre me platformën Apple Pay, duke ju mundësuar qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë që të kryejnë pagesa të shpejta, të sigurta dhe pa kontakt, përmes pajisjeve të tyre Apple (iPhone, Apple Watch, ose tjetër)” deklaroi BQK-ja.



Lexoni të gjitha në Bota Sot