Shumë e duan, por i tremb paga e tij e lartë

- Bota Sot

Shumë e duan, por i tremb paga e tij e lartë

Nëse dikush do të kishte bërë një sondazh, edhe vetëm tri vite më parë, për të pyetur se kush ishte lojtari më i mirë italian, emri i Federico Chiesa do të renditej ndër të parët, në mos i pari. Ishte një nga heronjtë e “Euro 2020”, por një dëmtim serioz dhe disa sezone nën nivelin e pritshëm e kanë ulur ndjeshëm vlerësimin për të, megjithëse Liverpool e dëshironte fort në vitin e rikthimit te titulli në Premier League.

Për fat të keq, kontributi i tij me “Reds” është kufizuar në vetëm 466 minuta në total, prej të cilave 104 minuta në 6 paraqitje në kampionatin më të vështirë në botë. Nga një vlerësim që kalonte 70 milionë euro, tani Chiesa kushton rreth 10 milionë. Kaq është shifra që duhet për ta marrë nga Liverpool-i.

Problemi i vërtetë është paga. Janë të pakta klubet e gatshme që mund t’ia paguajnë rrogën prej 7 milionë eurosh në vit (sa përfiton në Angli). Napoli ka bërë “sondazh” për një huazim me të drejtë blerjeje për 9 milionë euro, por me kushtin që Liverpool-i të kontribuojë në një pjesë të pagës së tij. Kjo kërkesë e ka ngadalësuar tratativën.

Edhe Atalanta është vënë në lëvizje, duke e konsideruar si një nga zëvendësuesit e mundshëm të Lookman, në rast largimi të nigerianit. Por edhe këtu ka nevojë të ulet paga. Kjo pistë mund të bëhet konkrete vetëm nëse Chiesa pranon ulje të ndjeshme të rrogës.

Vetë lojtari dëshiron të kthehet në Itali, për këtë arsye ka refuzuar Fenerbahçen, teksa dihet se është nën vëzhgim edhe nga Milani e Roma. Kush e di, ndoshta një trajner me përvojë mund ta rikthejë në nivelet që e çuan në majën e Europës vetëm katër vite më parë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot