“Një grusht, një i vdekur – 9 vjet burgim”, rrëfimi i të dënuarit për “vrasje nga pakujdesia”

- Bota Sot

“Një grusht, një i vdekur – 9 vjet burgim”, rrëfimi i të dënuarit për “vrasje nga pakujdesia”

Nexhat Aliu, 49 vjeç, po vuan një dënim prej nëntë vjetësh burg për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”.

Rrëfimi i tij vjen nga brenda burgut, në emisionin “Prapa Grilave”, ku ai tregon për natën që i ndryshoi jetën përgjithmonë – një natë e mbushur me alkool dhe një konfrontim fatal, që përfundoi me vdekjen e një personi, të cilin thotë se nuk e kishte njohur kurrë më parë.

Ngjarja ndodhi në një lokal me muzikë folklorike, ku pas një shkëmbimi fjalësh nën ndikimin e alkoolit, Aliu e goditi viktimën me grusht.

Viktima ra në tokë dhe pësoi lëndime fatale në kokë, duke ndërruar jetë pas disa ditësh në spital.

“Jam i dënuar me 9 vjet burg për një grusht. E quaj më shumë aksident sesa vepër penale me pasoja kaq të rënda. Të ndjerin nuk e kam njohur, nuk e kisha parë kurrë më parë në jetë. Më vjen keq për të dhe për familjen e tij. Ngushëllimet më të sinqerta ua dërgoj nga burgu”, tha Aliu.

Ai rrëfen se i ndjeri kishte konsumuar alkool, ashtu si edhe ai vetë, dhe se konfrontimi kishte nisur pas ofendimeve verbale.

Pas përplasjes fizike, të dy kishin dalë jashtë lokalit, ku Aliu e goditi viktimën me një grusht në fytyrë. Viktima ra në tokë, por askush nuk e raportoi menjëherë rastin si incident të dhunshëm.

“S’kam ditë ku ka rënë, vetëm e di që ia dhashë një grusht. Ai u dërgua në spital, por për disa ditë nuk është ditur çka kishte ndodhur saktë. Edhe familja e tij mendonte se ishte rrëzuar. Unë isha në arrati, por sapo mora vesh se ai kishte ndërruar jetë, vendosa të dorëzohem vetë”, tregon ai.

Aliu thotë se ndikimi i humbjes së djalit të tij kishte ndikuar rëndë në gjendjen e tij shpirtërore dhe psikike, por se nuk e justifikon veprimin.

Ai shpreh pendim dhe apelon për vetëpërmbajtje, largim nga alkooli dhe dhuna.

“Një moment i gabuar, një vendim i shpejtë nën ndikimin e alkoolit, mund të të ndryshojë tërë jetën. Sot jam këtu, i penduar dhe duke e vuajtur dënimin tim. Por mbi të gjitha, duke reflektuar për gjithçka që ka ndodhur”, përfundon Aliu.



Lexoni të gjitha në Bota Sot