Mbetet tek Interi

- Bota Sot

Mbetet tek Interi

Denzel Dumfries mbetet tek Interi. Dje, të enjten e 31 korrikut, skadoi klauzola prej 25 milionë eurosh, e përfshirë në kontratën e holandezit.

Nuk pati asnjë “sulm” nga Barcelona. Blaugranat, megjithëse kanë punuar gjatë në muajt e fundit për të, me ndihmën e agjentit të njohur Jorge Mendes, nuk e finalizuan goditjen.

Arsyet janë kryesisht ekonomike. Më saktë, lidhen me pamundësinë e katalanasve për të regjistruar lojtarë pa larguar më parë disa elementë. Diçka e përsëritur tashmë gjatë sesioneve të fundit të merkatos.

Barcelona nuk mund të veprojë lirshëm për shkak të situatës së saj delikate ekonomike.

Siç raporton “Sport”, agjenti i njohur Mendes kishte filluar ta organizonte operacionin në fillim të majit, pra kur mbrojtësi anësor holandez kishte shkëlqyer në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, pikërisht mes Interit dhe Barcelonës.

Deco, drejtori sportiv i blaugranave, ishte shprehur i gatshëm ta blinte Dumfries, duke marrë parasysh pagën jo shumë të lartë dhe vetëm 25 milionët për t’u paguar tek Interi. Megjithatë, portugezi i kishte bërë llogaritë gabim, ndaj kampionët e Spanjës mbërritën në fund të korrikut pa ndërmarrë dot “sulmin” përfundimtar.

Pra, ajo që peshon është situata e vështirë ekonomike e klubit, por edhe strategjitë e merkatos së Barcelonës, të cilat kanë ndryshuar gjatë javëve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot