Millorad Dodik, presidenti i entitetit të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, është dënuar me vendim të formës së prerë të premten, më 1 gusht, për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, merr vesh Radio Evropa e Lirë.
Aktgjykimin e ka shpallur trupi gjykues prej tre anëtarësh, i përbërë nga Amella Huskiq, Vesna Jesenkoviq dhe Hillmo Vuçiniq.
Ky trup gjykues e ka konfirmuar aktgjykimin e shkallës së parë të 26 shkurtit, me të cilin Milorad Dodik është dënuar me një vit burgim dhe ndalim prej gjashtë vjetësh për ushtrimin e funksioneve politike.
Kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës kanë ushtruar ankesë si ekipi juridik i Dodikut, ashtu edhe Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës.
Prokuroria ka kërkuar ashpërsimin e dënimit me burg, si dhe zgjatjen e ndalimit për ushtrimin e funksioneve, ndërsa mbrojtja ka kërkuar anulimin e aktgjykimit.
Dodik është shpallur fajtor për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që më herët ishin anuluar nga Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.
Me këto ligje, organet legjislative të Republikës Sërpska kishin tentuar të pengonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës dhe të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e këtij entiteti.
Menjëherë pas aktgjykimit të shkurtit, Kuvendi Popullor i RS-së miratoi një set ligjesh që parashihnin heqjen e kompetencave të institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe sigurisë në territorin e RS-së, ndërsa ndaj Dodikut, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës shpalli një urdhër qendror arresti në mes të marsit, nën dyshimin për sulm ndaj rendit kushtetues..REL