Klubi i Genoa-s ka refuzuar t’i lëshojë një abonim sezonal ish-presidentit të klubit, Alberto Zangrillo, i cili aktualisht është anëtar i bordit drejtues (Cda). Të enjten, profesori Zangrillo shkoi në sportelin e biletave në Porto Antico për të marrë për herë të parë një abonim vjetor për veten dhe të birin, por kërkesa e tij u refuzua.
Sipas asaj që ka rrjedhur nga burime pranë klubit, ky vendim bazohet në të drejtën që ka shoqëria për t’u mohuar abonimin persona që kanë dëmtuar klubin. Zangrillo ka paralajmëruar se do të paraqesë një kallëzim në Njësinë e Policisë Ekonomike dhe Financiare në Genova.
"U ndjeva i poshtëruar dhe ndjeva turp për Genoa-n time të dashur", – tha Zangrillo për ‘Corriere della Sera’. Ai rrëfen kështu ndodhinë: "Zoti Marco Trucco (përgjegjësi i dyqanit zyrtar të klubit) më ftoi ta ndiqja në një ambient përballë dhe aty më komunikoi se nuk jam person i mirëpritur nga klubi. Pyeta nga kush dhe më u përgjigj: nga drejtuesit e shoqërisë".
Në këtë pikë, s’ka abonim: "Po kush e di, ndoshta një ditë e blej vetë Genoa-n...".
Sipas pronarëve aktualë, me rumunin Dan Sucu në rolin e presidentit dhe aksionarit kryesor, Zangrillo po vepron si dëshmitar për shoqërinë amerikane A-Cap, e cila është kreditore ndaj ish-pronarëve, 777 Partners.
Kjo shoqëri ka kontestuar përmes disa ankesave, të gjitha të rrëzuara, rritjen e kapitalit të miratuar dhjetorin e kaluar nga sipërmarrësi Dan Sucu, duke e bërë këtë të fundit aksionarin e ri kryesor.
Çështja tashmë është në proces gjyqësor dhe pritet të marrë një vendim më 26 shkurt të vitit të ardhshëm.