Situata te Besiktas është alarmante pas eliminimit nga Shakhtar Donetsk në kualifikimet për Ligën e Europës.
Sipas mediumit turk, "Aksam", klubi bardhezi ka vendosur që Milot Rashica të jetë emri i parë që do të largohet nga skuadra pas dy ndeshjeve ku ekipi nuk arriti të tregojë asgjë.
Burime pranë klubit konfirmojnë se performanca e dobët e Rashicës në përballjen e parë në Stamboll, ka bërë që trajneri Solskjaer të kërkojë largimin e tij.
Në ndeshjen e kthimit mbrëmë, Rashica ishte në bankën rezervë dhe nuk u shfrytëzua fare, kurse në duelin e parë, ai u vërshëllye nga tifozët duke dalë nga fusha.
Aksam shkruan se drejtuesit i kanë kërkuar tashmë futbollistit të gjejë një klub të ri dhe pritet që ndarja të formalizohet brenda pak ditësh.
Milot Rashica, i cili ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2027, ka një vlerë në treg prej rreth 6.5 milionë eurosh.
Për momentin, nuk ka detaje se cili mund të jetë destinacioni i ardhshëm i yllit të Kosovës.