Mes Milanit, Galatasarayt dhe Comos

- Bota Sot

Mes Milanit, Galatasarayt dhe Comos

Pak javë më parë gjithçka dukej e qartë: Álvaro Morata do të rikthehej në Itali për të veshur fanellën e Como-s.

Përkundër ofertave joshëse nga Arabia Saudite, sulmuesi spanjoll i dha përparësi kalimit në një kampionat të fortë për të ruajtur formën në prag të Kupës së Botës dhe për të qenë në radarët e përzgjedhësit Luis de la Fuente.

Por, me Morata-n asgjë nuk është e thjeshtë. Aktualisht ai ndodhet i “burgosur” në një rrjetë burokratike në Turqi nga e cila është e vështirë të dalë. Historia ka shumë kthesa. Gjatë merkatos së dimrit, Morata u huazua te Galatasaray deri në dhjetor 2025.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, Milani, që zotëron kartonin e tij, do të përfitonte 6 milionë euro nga ky huazim, por ato para nuk kanë mbërritur kurrë.

Në atë kontekst, u krijua një mirëkuptim që lojtari të largohej nga Turqia në verë. Për më tepër, Galatasaray shpenzoi plot 75 milionë euro për të blerë përfundimisht Osimhen-in, një nga blerjet më të mëdha të merkatos së kësaj vere. Ndërkohë, Cesc Fàbregas, trajneri i Comos, e kontaktoi Morata-n dhe arriti marrëveshje me Milanin për 10 milionë euro, që sulmuesi të bëhej pjesë e skuadrës së veriut të Italisë.

Me gjithçka gati, ndërhyri Galatasaray dhe vendosi kushtet e veta. Për të ndërprerë huazimin që është në fuqi deri në dhjetor, klubi turk kërkon një kompensim prej 8 milionë eurosh, 6 për prishjen e marrëveshjes dhe 2 për pjesën proporcionale të pagës që ka depozituar. Me fjalë të tjera, turqit duan që kjo marrëveshje të mos i kushtojë asgjë, përndryshe nuk e lënë të lirë Morata-n.

Kjo situatë ka sjellë bllokimin e tratativave. Morata është ende pjesë e Galatasaray-t dhe pret që tri klubet të gjejnë një zgjidhje. Milani ka kërkuar 10 milionë euro për të mbuluar shpenzimet që bëri kur e bleu nga Atlético Madridi, duke llogaritur edhe 6 milionët që supozohej t’i merrte nga huazimi.

Nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje, Morata do të duhet të luajë deri në fund të vitit me Galatasaray dhe do të rikthehet në janar te Milani, në një moment kur kuqezinjtë do të kenë liri të plotë për të vendosur për të ardhmen e tij.

Një telenovelë e denjë për një skenar të një seriali turk... dhe fundi i saj mbetet ende i hapur.



Lexoni të gjitha në Bota Sot