“San Siro” feston 100-vjetorin, 1 shekull më parë nisi të ndërtohej “La Scala” e futbollit

- Bota Sot

“San Siro” feston 100-vjetorin, 1 shekull më parë nisi të ndërtohej “La Scala” e futbollit

Një histori milaneze që sot mbush një shekull. Një histori që flet për pionierë vizionarë. 1 gusht 2025 është përvjetori 100-Të i vendosjes së gurit të parë në themelet e një impianti, i cili do të bëhej më vonë ikonë e futbollit italian, e që do të quhej “San Siro”.

Ideja ishte e Piero Pirellit, në atë kohë president i Milanit, i cili ëndërronte një impiant tërësisht kushtuar futbollit, ashtu siç i kishte Anglia, pa pistë atletike. Ishte Anteo Carapezzi, drejtues i kuqezinjve, ai që e quajti “San Siro”, i inspiruar nga një kishë e vogël aty pranë, të vendosur midis rrugës Masaçio dhe asaj Uçello.

Projekti mori formë falë, Ulisse Staçhini dhe inxhinierit, Alberto Cugini. Ndërtimi i “La Scala-s” së futbollit italian, ishte një monument epokal për kohën. Për 13 muaj, u përdorën 10 mijë kuintalë çimento, 3500 metër kub rërë dhe 1500 kuintalë shufra hekuri.

Kostoja totale, 5 milionë lireta.

Pamjet e sotme të San Siros nuk ngjajnë aspak me ato të 1925, i cili atëherë kishte një kapacitet prej 35 mijë spektatorësh. Inaugurimi zyrtar u bë në 19 shtator 1926 me derbin e jashtëzakonshëm Milan-Inter që përfundoi 3-6. Goli i parë mban firmën e lojtarit të Milanit, Giuseppe Santagostino.



Lexoni të gjitha në Bota Sot