Lëshimi i “aktit udhëzues” për vuajtjen e dënimit me burg është dokumenti që Millorad Dodik, president i entitetit të Republikës Sërpska (RS) në Bosnjë e Hercegovinë, pritet ta marrë nga Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës, pas pranimit zyrtar të aktgjykimit përfundimtar.
Pas kësaj pritet të vijë edhe vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnjës dhe Hercegovinës (KQZ), që duhet të shpallë përfundimin e mandatit të Dodikut në krye të entitetit.
Sipas Ligjit zgjedhor të Bosnje e Hercegovinës, një zyrtari të zgjedhur i përfundon mandati “ditën kur merr aktgjykim të formës së prerë me të cilin është dënuar me burg prej gjashtë muajsh ose më shumë”.
Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës njoftoi më 1 gusht se ka shpallur aktgjykim të formës së prerë ndaj Dodikut, me të cilin ai dënohet me një vit burgim dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve politike për gjashtë vjet, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnjë.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Dodik deklaroi se nuk e pranon atë, ndërsa avokati i tij, Goran Bubiq, tha se do ta kundërshtojë në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Dodik u shpall fajtor për nënshkrimin e dekreteve që shpallnin në fuqi ligje të cilat ishin anuluar më parë nga Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt.
Përmes atyre ligjeve, organet legjislative të RS-së kishin synuar të ndalonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e këtij entiteti.
Bashkë i akuzuari në këtë rast, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, Millosh Llukiq, është shpallur i pafajshëm me vendim përfundimtar.
A mund të shmangë Dodik burgun?
Avokati dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës, Ilijas Mixhiq, tha për Radion Evropa e Lirë se Dodiku mund të kërkojë shtyrje të ekzekutimit të dënimit dy herë nga tre muaj, për arsye të bazuara, pasi të marrë “aktin udhëzues” nga gjykata.
“Arsyet duhet të jenë ekskluzivisht të natyrës ekzistenciale – si për shembull, përfundimi i ndonjë pune të domosdoshme, nëse është bujk apo duhet të sigurojë familjen. Gjithashtu, për arsye shëndetësore. Por, jo për arsye politike”, tha Mixhiq.
Megjithatë, Dodik ka edhe mundësinë të kërkojë shndërrimin e dënimit me burg në gjobë.
“Kur i dënuari e merr aktin udhëzues, aty përcaktohet edhe data kur duhet të paraqitet për të vuajtur dënimin. Para kësaj date, ai mund të paraqesë kërkesë për ta kthyer dënimin me burg në dënim me para”, shpjegoi Mixhiq.
Për përfundimin e mandatit vendos KQZ-ja
Avokati Mixhiq thekson se Gjykata e Bosnjës tani ka për obligim që përveç palëve në proces, t’i dërgojë aktgjykimin përfundimtar edhe Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili duhet të marrë vendim për përfundimin e mandatit të Dodikut si president i RS-së.
Kryetarja e KQZ-së, Irena Haxhiabdiq, e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ky institucion ka kërkuar tashmë aktgjykimin nga gjykata, për të pasur “qasje në arsyetim”, pas së cilës do të merret vendimi për mandatin e Dodikut.
Ajo nuk specifikoi një afat kohor për këtë vendim, por shtoi se pas marrjes së tij, ndjek edhe një procedurë ankese përmes së cilës Dodiku mund të kundërshtojë përfundimin e mandatit.
“Kur ne e marrim vendimin për përfundimin e mandatit dhe ai vendim bëhet i formës së prerë, pra refuzohen të gjitha ankesat, atëherë Komisioni Qendror Zgjedhor merr vendim për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Këto zgjedhje duhet të mbahen brenda 90 ditësh nga përfundimi i mandatit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin”, tha Haxhiabdiq.
Kush mund ta ndalojë Dodikun të ushtrojë funksionin?
Nëse Millorad Dodik nuk e respekton vendimin gjyqësor, ai rrezikon padi të reja penale, tha për Radion Evropa e Lirë avokati Ilijas Mixhiq.
Presidenti i dënuar i Republikës Sërpska tashmë ka treguar mosrespektim ndaj vendimeve të organeve të drejtësisë, duke shmangur arrestimin në bazë të një fletarrestimi që ishte aktiv nga mesi i marsit deri në fillim të korrikut, në një proces tjetër që po zhvillohet ndaj tij – rasti për “sulm ndaj rendit kushtetues” të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Megjithatë, në fillim të korrikut, Dodik u paraqit në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës. Pas kësaj, fletarrestimi ndaj tij u anulua.
Mixhiq thotë se pret që ligji të jetë “më i fortë” edhe në këtë rast.
“Ishim dëshmitarë të një përpjekjeje të pasuksesshme për ta shoqëruar dhe arrestuar, prandaj nuk besoj se kësaj here Dodiku do t’i kushtojë shumë rëndësi këtij vendimi. Por, pas marrjes së aktgjykimit përfundimtar, çdo paraqitje publike apo ushtrim funksioni nga ana e tij bëhet e pakuptimtë, pasi atij i është ndaluar zyrtarisht ushtrimi i funksionit. Moszbatimi i kësaj ndalese do të përbënte një vepër të re penale – moszbatimi i vendimeve gjyqësore – dhe do të hapte procedura të reja ligjore”, deklaroi Mixhiq
Kushtetuta e Republikës Sërpska dhe paqartësitë në procedurë
Kushtetuta dhe ligjet e Republikës Sërpska nuk e përcaktojnë qartë se çfarë ndodh kur një gjykatë i ndalon presidentit të këtij entiteti ushtrimin e detyrës.
Po ashtu, nuk është e qartë se kush e merr përsipër funksionin në rast të pengesave të papritura, dënimit, shkarkimit apo vdekjes së presidentit.
Presidenti dhe dy nënkryetarët – nga radhët e boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve – zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët. Megjithatë, ndërsa presidenti ka kompetenca të gjera (mund të propozojë ligje, të shkarkojë kryeministrin dhe të shpërndajë Parlamentin), roli i nënkryetarëve është kryesisht simbolik.
Ata “e ndihmojnë presidentin në detyrat që ua cakton ai”, dhe në rast të një pengese të përkohshme, presidenti vendos vetë se kush e zëvendëson – siç bëri Millorad Dodik vitin e kaluar, kur gjatë qëndrimit në spital autorizoi Davor Pranjiqin për ta zëvendësuar.
Megjithatë, ligji nuk jep një përgjigje të qartë për rastin kur presidenti bëhet përgjithmonë i paaftë për të ushtruar funksionin.
Një precedent i vetëm ndodhi në vitin 2007, kur pas vdekjes së papritur të presidentit Millan Jelliq, Kuvendi i entitetit – pa mbështetje të qartë ligjore – e emëroi atëherë kryetarin e Kuvendit, Igor Radojiçiq, si ushtrues detyre të presidentit.
Radojiçiq qëndroi në këtë funksion deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit 2007, kur president i ri i Republikës Sërpska u zgjodh Rajko Kuzmanoviq nga radhët e SNSD-së.
Nëse shumica aktuale në Kuvendin e Republikës Sërpska do të ndjekë të njëjtën rrugë si në të kaluarën, funksionin e presidentit mund ta marrë Nenad Stevandiq – partner koalicioni i Dodikut dhe kryetar i Kuvendit Popullor të RS-së.
Stevandiq, bashkë me disa zyrtarë të tjerë nga Republika Sërpska, gjendet që nga viti i kaluar në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara për shkak të minimit të Marrëveshjes së Dejtonit dhe rrezikimit të integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës.
Sanksionet ndaj tyre u vendosën pasi Kuvendi i RS-së miratoi ligje që hodhën poshtë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.
Vetë Dodik, anëtarë të familjes së tij dhe disa kompani të lidhura me ta janë prej kohësh në listën e sanksioneve të SHBA-së.
Përveç kësaj, Stevandiq, Dodik dhe kryeministri i RS-së, Radovan Vishkoviq, janë gjithashtu të dyshuar dhe janë marrë në pyetje – pas muajsh shmangieje – për sulm ndaj rendit kushtetues të Bosnjës. Kjo pasoi miratimin nga Kuvendi i RS-së të një seti ligjesh në shkurt, menjëherë pas një aktgjykimi të shkallës së parë, përmes të cilëve u hoq kompetenca e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe policisë në territorin e këtij entiteti./REL