Klubi Futbollistik Llapi ka thënë se vendimi i Qeverisë në detyrë lidhur me stadiumin "Zahir Pajaziti" në Podujevë është një hap i madh përpara për infrastrukturën sportive në qytet.
Klubi ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka miratuar financimin për projektin e shumëpritur të rinovimit të stadiumit “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
"Projekti përfshin ndërtimin e tribunës së re lindore, mbulimin e të gjitha tribunave ekzistuese dhe instalimin e ndriçimit të fushës në përputhje me standardet e UEFA-s për kategorinë e tretë.
Ky investim do të krijojë kushte moderne për zhvillimin e ndeshjeve gjatë mbrëmjeve dhe padyshim që do të ndikojë në rritjen e numrit të tifozëve tanë në stadium”, thuhet në deklaratën e Llapit.
Klubi ka falënderuar Kryeministrin Albin Kurti, Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, si dhe të gjithë kabinetin qeveritar për përkrahjen e treguar ndaj futbollit në Podujevë.
Po ashtu, mirënjohje të veçantë i është shprehur Kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe stafit të tij udhëheqës për “gatishmërinë dhe këmbëngulësinë e treguar në dorëzimin e projektit, një hap kyç drejt miratimit të tij nga Qeveria".
Llapi ka theksuar se ky projekt i jep një shtysë të re klubit për të vazhduar organizimin dhe konsolidimin në nivel kombëtar