Tragjedi në Spanjë! Vëlla e motër humbin jetën në det, identifikohen të miturit

- Bota Sot

Tragjedi në Spanjë! Vëlla e motër humbin jetën në det, identifikohen të miturit

Dy fëmijë britanikë, motër dhe vëlla, kanë humbur jetën tragjikisht pas mbytjes në det në brigjet verilindore të Spanjës.

Viktimat janë identifikuar si Ameiya Del Brocco, 13 vjeçe, dhe vëllai i saj 11-vjeçar, Ricardo Junior.

Ngjarja ndodhi të martën gjatë pushimeve familjare në qytetin bregdetar të Salou, në rajonin e Katalonjës. Babai i tyre, Ricardo Senior, u nxor nga uji pa ndjenja, por fatmirësisht arriti të shpëtohej nga shërbimet e emergjencës dhe ndodhet ende në spital.

Familjarët janë shprehur të shkatërruar nga dhimbja. “Maya ishte vajzë e mençur dhe e ndjeshme, ndërsa Jubs ishte i dashur, lozonjar dhe gjithmonë me buzëqeshje në fytyrë. Ata ishin zemra e familjes sonë dhe mungesa e tyre ka lënë një heshtje të padurueshme,” tha kushërira e tyre, Holly Marquis-Johnson.

Halla e fëmijëve, Kayla Jasvinder Del-Brocco, tregoi për mediat britanike se gjithçka ndodhi në pak minuta. “Shkuan për të notuar bashkë me babanë e tyre, pasi e donin detin. Nëna e tyre i tha ‘mos u vononi’ dhe u largua për pak me fëmijën më të vogël. Kur u kthye, nuk pa më askënd në horizont”, u shpreh halla e tyre.

Autoritetet katalanase konfirmuan se ngjarja ndodhi në plazhin Llarga, pranë Tarragonës, rreth orës 20:45 të së martës. Policia lokale tha se tre persona po përpiqeshin me vështirësi të dilnin nga deti, por për dy fëmijët nuk u mund të bëhej asgjë, pavarësisht përpjekjeve për reanimacion.

“Kur u nxorën nga uji, dy fëmijët nuk kishin shenja jete. U tentua reanimimi me CPR, por pa sukses,” tha shefi i policisë lokale, Jose Luis Gargallo.

Zëdhënës i Zyrës së Jashtme britanike konfirmoi se po mbështesin familjen dhe janë në kontakt me autoritetet lokale në Spanjë.

Një fond është ngritur nga familjarët për të ndihmuar me shpenzimet e kthimit të trupave në Britani.



Lexoni të gjitha në Bota Sot