Prizrenasja Tayna prek publikun në Sunny Hill me një rrëfim personal për betejën e saj të heshtur

- Gazeta e Prizrenit

Prizrenasja Tayna prek publikun në Sunny Hill me një rrëfim personal për betejën e saj të heshtur

Nga skena e festivalit Sunny Hill, Tayna nuk dhuroi vetëm një performancë spektakolare muzikore, ajo ndau një copë nga shpirti i saj.

Në një natë të ngrohtë vere, përballë mijëra njerëzve që këndonin bashkë me të, artistja kosovare u hap për një periudhë të errët të jetës së saj, një kohë kur kishte ndalur së bërë muzikë dhe nuk ishte e sigurt nëse do të kthehej ndonjëherë në skenë.

“Nuk e kam dit a kam me knu më, edhe nuk e kam ditë a kam me ju pa më qysh po ju shoh sot,” tha ajo me zërin që dridhej nga emocionet.

“Se po m’vjen me kajt, e s’kam kajt kurrë në publik, po sot është një natë shumë e veçantë.”

Ajo ndau historinë e këngës “Si ai” që kishte shkruar gjatë asaj periudhe të vështirëc një këngë që për të ishte simbol i çlirimit shpirtëror. Por kjo këngë, tha Tayna, nuk u prit gjithmonë me dashuri.

“E kanë përqesh, e kanë përbuzë, e kanë fshi, e kanë blloku, po kurrë s’kanë mujt me ja nal zanin,” u shpreh ajo me vendosmëri, duke falënderuar Zotin, veten dhe publikun për mbështetjen e pandërprerë.

Fjalët e saj u shndërruan në një mesazh fuqie për të gjithë ata që përballen me sfida të padukshme: “Çfarëdo momente të këqija që jeni tu kalu, që dikush e din ose se din, gjithmonë mos mu dorëzu kurrë në veten e juaj, me vendos me besu edhe kur ska shpresë. Edhe dine që në terr të jetës ju jeni vet drita.”

Në atë skenë, përtej muzikës dhe dritave, Tayna rikujtoi të gjithëve se arti është më i fortë se kritika, dhe e vërteta personale, sado e dhimbshme mund të shndërrohet në frymëzim./Albanian Post



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit