Portugalia kontinentale do të hyjë në gjendje gatishmërie nga mesnata e së dielës për shkak të rrezikut në përkeqësim të zjarreve si rezultat i “motit të nxehtë shumë të ashpër” me temperatura maksimale që pritet të variojnë nga 36 deri në 44 gradë Celsius.
Njoftimi u bë të shtunën nga Ministrja e Administratës së Brendshme Maria Lucia Amaral.
Do të jetë në fuqi deri në orën 23:59 të mbrëmjes, më 7 gusht.
“Ky vendim rrjedh nga temperaturat shumë të larta, nivelet e ulëta të lagështisë dhe nevojës për të miratuar masa parandaluese dhe të veçanta për t’iu përgjigjur rrezikut të zjarrit në një pjesë të madhe të Portugalisë kontinentale”, shpjegoi ministrja.
Gjatë kësaj periudhe, shtoi ajo, do të zbatohen masat e mëposhtme të jashtëzakonshme:
“Ndalimi i hyrjes, lëvizjes dhe qëndrimit brenda hapësirave pyjore, në përputhje me planet komunale të mbrojtjes nga zjarri në pyje; ndalimi i djegies, si dhe pezullimi i autorizimeve që janë lëshuar; ndalimi i kryerjes së punës në hapësirat pyjore dhe hapësira të tjera rurale duke përdorur makineri; ndalimi i përdorimit të fishekzjarrëve ose objekteve të tjera piroteknike, si dhe pezullimi i autorizimeve që janë lëshuar.”
Amaral tha se ka disa përjashtime shumë specifike nga këto kufizime të cilat mund të gjenden në portalin e qeverisë portugeze.
Raportohet se një masë ajri e nxehtë nga Afrika e Veriut do të jetë mbi Gadishullin Iberik nga e diela.
Kjo do të thotë që Portugalia dhe Spanja do të përjetojnë temperatura edhe më të larta që mund të arrijnë 45 gradë Celsius.